Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”, të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një togë të mortajave.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ushtrimi “Dynamic Front” është një aktivitet shumëkombësh që synon testimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet ushtrive të NATO-s dhe forcave partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt. Sipas tij, ushtrimi këtë vit po zhvillohet paralelisht në Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.
“FSK ka zbarkuar në Gjermani, në Grafenwöhr Training Area, me kapacitetet e veta logjistike, duke përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se kontingjenti i FSK-së ka vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke realizuar qitje me mortaja 120 mm në koordinim me trupat amerikane dhe ato italiane.
“Togu i mortajave, me elementët e tij përbërës – Vijën e Zjarrit, Qendrën e Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesit e Përparëm – ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat e Ushtrisë Italiane”, ka theksuar ministri.
Sipas Maqedoncit, gjatë ushtrimit FSK ka demonstruar aftësitë e saj në qitje ditën dhe natën, si dhe ka shkëmbyer përvoja dhe praktika me forcat partnere.
“FSK çdo ditë po dëshmon profesionalizmin dhe disiplinën duke ndërvepruar me partnerët në të mirë të paqes dhe sigurisë”, ka përfunduar Maqedonci./Telegrafi/