Pas përfundimit të rinumërimit të votave në Komunën e Malishevës, Prokuroria Themelore në Gjakovë sot ka ndërmarrë një aksion të gjerë hetimor, lidhur me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.
Në një konferencë për media, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka bërë të ditur se pas rinumërimit është lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve konkrete hetimore me qëllim të grumbullimit të provave.
“Pas përfundimit të rinumërimit të votave në Malishevë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të grumbullimit të provave”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka bërë të ditur se gjatë aksionit të sotëm janë intervistuar gjithsej 58 persona.
“Sot kemi realizuar një aksion ku nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë, janë intervistuar 15 kryesues dhe 43 komisionerë. Pesëmbëdhjetë kryesuesit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor Prokuroria do të vendosë për masën e sigurisë”, ka theksuar kryeprokurori Gashi.
Sipas tij, për 43 komisionerët e intervistuar, Prokuroria është ende në fazën e vlerësimit për caktimin e ndonjë mase eventuale.
“Në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë nga Departamenti për Krime të Rënda”, ka shtuar Gashi.
Ndërkaq, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka deklaruar se veprimet e shpejta të Prokurorisë kanë rezultuar me arrestime të personave që dyshohet se kanë manipuluar vota.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta janë kryer arrestime, duke përfshirë komisionerë që dyshohet se kanë manipuluar vota. Asnjë individ, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk qëndron mbi ligjin dhe integriteti i procesit zgjedhor është i panegociueshëm”, ka deklaruar Pula.
Ajo ka shtuar se Prokuroria e Shtetit do të vazhdojë hetimet deri në zbardhjen e plotë të rasteve.
“Prokuroria e Shtetit do të mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së qytetarëve. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha autoritetet e zbatimit të ligjit dhe nuk do të ndalemi deri në hetimin e fundit”, ka theksuar Pula. /Telegrafi/