Mallorca ku luan Vedat Muriqi, ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me trajnerin Jagoba Arrasate, pas ecurisë jo të kënaqshme në këtë edicion të La Liga.
Klubi spanjoll njoftoi se ky vendim synon hapjen e një faze të re, me objektivin kryesor sigurimin e mbijetesës në elitën e futbollit spanjoll.
“Mallorca dëshiron të falënderojë publikisht punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar nga Jagoba Arrasate dhe i gjithë stafi i tij teknik gjatë kohës së tij në krye të ekipit”.
“Angazhimi i tyre i përditshëm dhe sjellja shembullore kanë qenë gjithmonë në lartësinë e asaj që përfaqëson ky entitet. Klubi ju uron fat të mbarë si në nivel personal ashtu edhe profesional në projektet tuaja të ardhshme”, shkruan në njoftimin e Mallorcas.
Në këtë sezon, një nga pikat më të forta të ekipit ka qenë sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili ka shkëlqyer nën drejtimin e Arrasate.
Ai ka realizuar 16 gola dhe ka arritur kuotën e 50 golave në La Liga me fanellën e Mallorcas.
Muriqi renditet tashmë si golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit, duke lënë pas shumë emra të njohur. Vetëm Samuel Eto’o mban rekordin me 54 gola të shënuar për Mallorcan në kampionat. /Telegrafi/