Real Madridi po planifikon të përforcojë mesfushën në verën e ardhshme dhe një nga objektivat kryesorë të “Los Blancos” është Alexis Mac Allister.
Presidenti Florentino Perez e admiron mesfushorin argjentinas dhe dëshiron ta sjellë atë në “Santiago Bernabeu”. Po ashtu, paraqitjet e Mac Allister këtë sezon nuk kanë arritur nivelin e shkëlqyer që tregoi edicionin e kaluar, çka ka shtuar spekulimet se ai mund të largohet nga Liverpooli drejt kryeqytetit spanjoll.
Megjithatë, agjenti dhe njëkohësisht babai i lojtarit, Carlos Mac Allister, ka reaguar ndaj zërave që e lidhin djalin e tij me Real Madridin.
Në një prononcim për “winwin”, Carlos Mac Allister ka theksuar se djali i tij mbetet i përqendruar te Liverpooli dhe sezoni aktual.
“Ajo që mund të them për momentin është se Alexis është i fokusuar te Liverpooli dhe sezoni aktual. Alexis është shumë i lumtur dhe ndihet shumë rehat te Liverpooli”.
Duhet theksuar se Mac Allister nuk është i vetmi mesfushor në listën e madrilenëve, pasi ata po monitorojnë edhe emra si Enzo Fernandez, Vitinha dhe Joao Neves.
Ndërkohë, disa nga objektivat e tjerë të Real Madridit kanë situata kontraktuale të ndërlikuara. Vitinha së fundmi ka rinovuar kontratën me Paris Saint-Germain deri në vitin 2029, ndërsa Enzo Fernandez është i lidhur me Chelsean deri në vitin 2032, duke e bërë çdo lëvizje për ta jashtëzakonisht të shtrenjtë.
Në anën tjetër, kontrata e Mac Allister me Liverpoolin do të hyjë në dy vitet e fundit në fund të këtij sezoni, një detaj që klubi anglez e ka parasysh. Në moshën 27-vjeçare, argjentinasi po hyn në një fazë vendimtare të karrierës së tij, gjë që e bën të ardhmen e tij edhe më interesante për t’u ndjekur./Telegrafi