Mesfushori i Liverpoolit, Alexis Mac Allister, ka pranuar se shanset e “The Reds” për ta mbrojtur titullin e Ligës Premier janë minimale, duke folur hapur për situatën aktuale të skuadrës.
“Ka shumë pak gjasa që Liverpooli ta ruajë titullin. Më vjen keq ta them, por është shumë e qartë”, ka deklaruar argjentinasi për “Sky Sports”, në prag të ndeshjes kundër Fulhamit.
Mac Allister theksoi se rivalët kryesorë janë në një nivel më të lartë këtë sezon.
“Arsenali është në një moment shumë të mirë, Manchester City është shumë afër, ndërsa ne nuk jemi aty as për nga paraqitjet dhe as për nga rezultatet. Prandaj nuk e shoh veten sërish kampion”.
“Dhemb, sepse ky duhej të ishte një moment kur ne po e shijonim Ligën Premier që e fituam dhe duhej të ishim në një pozitë shumë më të mirë sesa jemi tani”.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar nga sezoni i kaluar dhe nuk është situatë ideale, por ky është realiteti. Duhet ta pranojmë dhe të vazhdojmë të punojmë për t’u përmirësuar”.
Pas gjysmës së sezonit, Liverpooli ndodhet 12 pikë larg kreut të tabelës, me Arsenalin, Aston Villën dhe Manchester Cityn që renditen para tyre në garën për titull./Telegrafi