Shefja e Grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka bërë të ditur se LVV do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo theksoi se shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt të paprecedent që bie ndesh me rendin kushtetues.
“Jemi dëshmitarë që shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt të paprecedent që bie ndesh me rendin tonë kushtetues dhe ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë. Nuk ka asnjë arsye pse kjo duhet të ndodhte sot një akt i tillë sot në mëngjes”, tha ajo.
Nagavci theksoi se sot ishte paraparë në ora 14:00 me kërkesë të Qeverisë të mbahet një seancë plenare, ku ne rend dite ishin disa marrëveshje ndërkombëtare.
“Duhet ta bëjmë të qartë për qytetarët se ne kemi qenë të vetëdijshëm që ka shumë palë dhe grupe të interesit të cilave u ka penguar mbështetja e madhe e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosjen dhe kryeministrin Kurti.
Gjithsesi ne kemi bërë gjithë çfarë ka qenë në dorën tonë për të shmangur edhe një palë zgjedhje”, tha ajo, duke përmendur takimet me kryetarët e partive opozitare.