Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqje nga posti i tij, pas takimit me nënkryetarët e partisë për të diskutuar rreth rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në një konferencë për media, Abdixhiku tha se në konsultim me organet e partisë është vendosur të thirret kryesia e LDK-së dhe më pas Kuvendi i partisë.
Ai theksoi se ka një obligim moral dhe politik për të marrë përgjegjësi dhe për të organizuar më tej strukturat politike të LDK-së.
“E kam obligim moral e politik që të marr përgjegjësinë dhe ta shtroj tutje organizimin politik të LDK-së, nëpërmjet ofrimit të dorëheqjes përmes Kuvendit të LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ky njoftim vjen pas rezultateve të zgjedhjeve që nuk kanë qenë sipas pritshmërive të partisë, duke hapur rrugë për ndryshime në udhëheqjen dhe organizimin e LDK-së./Telegrafi.