Nga: Ilan Berman, zëvendëskryetar i Këshillit Amerikan për Politikë të Jashtme në Uashington / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Cilin çmim të lartë është i gatshëm të paguajë Vladimir Putini për një fitore në Ukrainë? Këtë muaj shënohet përvjetori i katërt i pushtimit rus të vitit 2022, dhe kostot e luftës së zgjedhur prej tij janë bërë marramendëse, si në aspektin njerëzor ashtu edhe ekonomik. Por, për Kremlinin, kostoja e agresionit të vazhdueshëm pritet të rritet edhe më tej.
Në dhjetor, qeveria ruse zbuloi për herë të parë koston reale të luftës. Duke paraqitur buxhetin kombëtar të mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes Andrey Belousov njoftoi se fatura e parashikuar e luftës për vitin 2025 ishte 5,1 për qind e PBB-së totale, ose rreth 11 trilionë rubla [135 miliardë dollarë / 115 miliardë euro]. Vitin e ardhshëm, sipas analistëve, kjo kosto mund të jetë edhe më e lartë – ndoshta mbi 170 miliardë dollarë [144 miliardë euro].
Deri tani, Rusia është mbështetur kryesisht te të ardhurat nga nafta për të mbajtur në funksion makinerinë e saj të luftës. Por, rritja e shpenzimeve të luftës është shoqëruar me rënie të ndjeshme të shitjeve ruse të energjisë – një dinamikë që po e bën gjithnjë e më shumë luftën në Ukrainë një fatkeqësi të papërballueshme për Moskën.
Arsyeja lidhet pjesërisht me gjendjen aktuale të mbingopur të tregut global të energjisë. Kjo situatë ka disa shkaqe, nga zgjerimi i kapaciteteve të mbështetura nga shteti në Kinë deri te prodhimi i ri nga eksportues në zhvillim si Brazili dhe Indonezia. Por, efektet e saj janë shumë reale – dhe potencialisht shkatërrimtare për Rusinë, e cila ka parë rënie të ndjeshme të të ardhurave nga nafta.
Kjo rënie po ushtron presion në rritje mbi buxhetin e vendit. Analistët parashikojnë se deri në fund të këtij viti, deficiti buxhetor i Rusisë mund të jetë sa trefishi i projeksioneve zyrtare. Një faktor kyç është rënia e blerjeve të naftës nga India; dikur një konsumator i madh, Nju-Delhi ka ulur importet e naftës ruse me 30 për qind, si reagim ndaj presionit të shtuar nga administrata Trump.
Efektet kanë qenë të dukshme. Të dhënat e publikuara së fundmi nga qeveria ruse tregojnë se të ardhurat nga energjia për muajin janar ishin vetëm 5.13 miliardë dollarë [4.5 miliardë euro], niveli më i ulët mujor që nga korriku 2020. Në total, analistët parashikojnë humbje të të ardhurave prej rreth tri trilionë rubla [229 miliardë dollarë / 194 miliardë euro] në vitin 2026.
Për kompensim, Kremlini do të detyrohet të përdorë rezervat fiskale. Por, ato janë gjithnjë e më të kufizuara. Një vit më parë, The Wall Street Journal vlerësonte se Rusia kishte shpenzuar tashmë rreth dy të tretat e aseteve likuide në Fondin Kombëtar të Pasurisë. Në vitin 2022, fondi arrinte në 113 miliardë dollarë [96 miliardë euro], ose 6,5 për qind të PBB-së kombëtare. Sot, situata është edhe më e rëndë; besohet se fondi përmban vetëm 4,1 trilionë rubla, ose 53 miliardë dollarë [45 miliardë euro], në asete të papërdorura – ndërsa pjesa tjetër është kryesisht në ar dhe valuta të huaja që janë të kushtueshme për t’u likuiduar dhe për t’u vënë në dispozicion të shtetit.
Ndoshta këto kushte ekonomike gjithnjë e më të pafavorshme do ta detyrojnë më në fund Kremlinin të tërhiqet. Por, për Rusinë, lufta në Ukrainë nuk ka qenë kurrë thjesht çështje dollarësh dhe centësh. Siç e kanë bërë të qartë presidenti rus dhe figurat e tjera të larta të Kremlinit, nënshtrimi i Ukrainës është parakusht për ringjalljen perandorake që ata besojnë se vendi i tyre është i destinuar të arrijë.
Dëshira e Rusisë për konflikt nuk pritet të zbehet. E vetmja gjë që mund të ndryshojë është nëse ajo do të ketë burimet e nevojshme për ta vazhduar këtë luftë të zgjedhur.
Më herët këtë muaj, Bashkimi Evropian miratoi paketën e tij më të fundit të sanksioneve – të njëzetën që nga pushtimi në shkallë të plotë në shkurt 2022. Masat e reja synojnë të forcojnë zbatimin dhe të mbyllin boshllëqet që Rusia kishte shfrytëzuar më parë, përfshirë ndalimin e plotë të shërbimeve detare për naftën bruto ruse dhe hapa të rinj për të goditur “flotën në hije” të cisternave të saj.
Megjithatë, ndryshimi vendimtar do të vijë nga Uashingtoni. Vjeshtën e kaluar, presioni i sanksioneve amerikane i detyroi rafineritë indiane (dhe kineze) të pezullonin një pjesë të importeve të naftës ruse për të ruajtur qasjen në tregun amerikan. Presioni i mëtejshëm i këtij lloji ndaj partnerëve të mbetur energjetikë të Rusisë ka të ngjarë të prodhojë rezultate të ngjashme – dhe ndikim edhe më të madh.
Presidenti Donald Trump ka vendosur tani një afat në qershor për përfundimin e luftës, dhe Shtëpia e Bardhë pret që Moska dhe Kievi të arrijnë një lloj marrëveshjeje. Pyetja thelbësore është nëse kalkulimi ekonomik i Rusisë mund të ndryshohet realisht deri atëherë. /Telegrafi/