Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se situata pas vërshimeve në këtë komunë po shkon drejt stabilizimit, pas ndaljes së reshjeve të shiut.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve, Lladrovci ka falënderuar për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës gjatë menaxhimit të situatës.
“Ju falënderoj për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës në situatën e vërshimeve”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht vetëm një rrugë mbetet e bllokuar, ndërsa rrugët e tjera janë të kalueshme, megjithëse kërkohet kujdes i shtuar.
“Aktualisht, janë ndalur reshjet dhe rruga e vetme e bllokuar është rruga Drenas–Guri i Plakës. Rrugët tjera, të cilat kanë qenë të bllokuara, janë të kalueshme, por kërkohet kujdes”, ka theksuar ai.
Sipas Lladrovcit, ekipet komunale janë të angazhuara me prioritet në disa zona problematike, ku po shënohen përmirësime të dukshme.
“Angazhimet me prioritet për ujin te Lokalet e reja, afër Stacionit të Autobusëve, po japin rezultat dhe së shpejti situata do të përmirësohet”, ka deklaruar kryetari i Drenasit.
Në fund, Lladrovci u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet e institucioneve dhe të tregojnë solidaritet në tejkalimin e situatës.
“Respektoni vendimet e organeve kompetente, jepni ndihmë ku mundeni për tejkalim të situatës dhe shtoni kujdesin”, ka apeluar ai./Telegrafi/