Liverpooli duket se ka identifikuar zëvendësuesin e mundshëm për Mohamed Salahun, ndërsa drejtuesit e klubit janë të gatshëm të investojnë deri në 100 milionë euro për ta transferuar atë këtë muaj.
Objektivi i Reds është Bradley Barcola, sulmuesi francez i PSG-së, 23 vjeç, i cili luan kryesisht në krahun e majtë, por mund të adaptohet edhe në krahun e djathtë të sulmit.
Drejtuesit e Liverpoolit e shohin Barcolan si një opsion afatgjatë për t’i dhënë ekipit forcën sulmuese që Salah ka ofruar për vite me radhë.
Barcola, nga ana tjetër, nuk është plotësisht i kënaqur me statusin e tij te PSG, ku ndryshimet e shpeshta të pozitave dhe konkurrenca e fortë, përfshirë mbërritjen e Desire Doue, kanë kufizuar mundësitë e tij për të luajtur titullar në krahun e preferuar.
Francezi është gjithashtu i hapur për një sfidë të re dhe e konsideron Ligën Premier një opsion serioz për të ardhmen.
Liverpooli po planifikon një qasje zyrtare këtë muaj për të testuar qëndrimin e PSG-së, ndërsa negociatat mund të jenë të vështira nëse klubi francez nuk pranon të ulë çmimin ose nëse Barcola nuk kërkon aktivisht largimin.
Ky transferim, nëse realizohet, do të jetë një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e Ligës Premier , duke treguar seriozitetin e Liverpoolit për të garantuar vazhdimësinë e sulmit pas largimit të Mohamed Salahun. /Telegrafi/