Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në një konferencë për media, ka denoncuar sot atë që e quan një nga skandalet më të rënda të qeverisë aktuale, të quajtur “afera WhatsApp”.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, dhe anëtari i Kryesisë, Berat Rukiqi, thanë se vendimmarrja në shtetin e Kosovës po bëhet nga grupe private në WhatsApp, ku punësimet, bordet dhe vendimet publike ndahen mes militantëve partiakë, ndërsa profesionistët e kualifikuar dhe rinia e ndershme përjashtohen.
Sipas tyre, ish-kryeministri Albin Kurti është përgjegjës kryesor për këtë strukturë, ndërsa Dejona Mihaili ka vepruar si kapo operative e një strukture parapolitike, pa asnjë funksion zyrtar.
“Mesazhi i VV-së për rininë është brutal: nëse nuk je militant, nuk ke shans,” u tha në konferencë, duke shtuar se institucionet janë shndërruar në degë partie dhe shteti në pronë private.
Berat Rukiqi theksoi se afera WhatsApp përbën kapje të hapur të shtetit, me pasoja të rënda për qytetarët, duke përmendur ndërmarrje publike nën kontroll partiak, borde të dirigjuara dhe ndikim politik në vendime publike, përfshirë çështje si faturat e energjisë dhe besimi i qytetarëve te shteti.
LDK kërkon hetim të menjëhershëm, transparencë të plotë dhe çlirimin e institucioneve nga qeverisja e WhatsApp-it, duke theksuar se Kosova meriton një shtet ligjor, të drejtë dhe të hapur për qytetarët.
Partia gjithashtu paralajmëroi rikthimin e shpresës për vendin me datë 28 dhjetor. /Telegrafi/