Josep Pedrerol ka kritikuar ashpër Kylian Mbappe pas humbjes së Real Madrid ndaj Mallorcas, duke i kërkuar trajnerit Alvaro Arbeloa që ta “disiplinojë” sulmuesin për mungesën e kontributit në fazën mbrojtëse.
Pas rikthimit nga lëndimi në gju, Mbappe u rikthye titullar, por madrilenët u mposhtën 2-1 dhe mbetën shtatë pikë pas Barcelonës në garën për titull. Edhe pse krijoi raste, francezi u vu sërish në shënjestër të kritikave nga mediat spanjolle për angazhimin e tij të kufizuar pa top.
Pedrerol, në emisionin “El Chiringuito”, u shpreh i pakënaqur edhe me deklaratat e fundit të Mbappes në një podcast me Aurelien Tchouameni dhe Achraf Hakimi.
“Mbappe është shumë i mirë, por nuk e ka kuptuar Real Madridin. ‘Mbappe-Football Club’ është shumë i mirë, por nuk e ka kuptuar se çfarë është Madridi. Duhet të marrë parasysh kritikat që vijnë nga Evropa, siç bën Arbeloa, dhe ta kuptojë se kjo është shumë e rëndësishme”.
Ai shtoi se deklaratat e sulmuesit për mungesën e vrapimit janë të papranueshme në një klub si Real Madridi.
“I kuptoj fjalët e Luis Enrique. Arbeloa duhet t’i përcjellë të njëjtin mesazh”.
Pedrerol sugjeroi që trajneri i madrilenëve të ndjekë shembullin e Luis Enrique te Paris Saint-Germain, ku ai kishte kritikuar publikisht Mbappen dhe madje kishte përmendur Michael Jordan si model për përkushtimin maksimal në çdo aspekt të lojës.
Nga ana tjetër, Marca ofroi një analizë më të balancuar, duke theksuar se Real Madridi kishte pasur një seri të mirë rezultatesh edhe pa Mbappen.
“Mbappe nuk shënoi – e pabesueshme. Real Madridit i duhen golat e tij. Në fakt, skuadra dukej se funksiononte mirë edhe pa të gjatë pesë fitoreve radhazi. Nuk është se Mbappe luajti keq, por as nuk ishte i jashtëzakonshëm”, shkruante gazeta.
Debati rreth rolit të Mbappes në skuadër vazhdon, ndërsa presioni mbi të rritet për të kontribuar më shumë në lojën kolektive dhe jo vetëm në fazën sulmuese./Telegrafi/