David Beckham ka zbuluar me krenari stadiumin e ri të Inter Miamit prej 750 milionë dollarësh (i gjithë kompleksi vlen 1 miliard dollarë), i cili u hap një vit me vonesë.
Legjenda e futbollit anglez ka ndarë pamjet e para përpara hapjes zyrtare dhe ndeshjes së parë që do të luhet në stadiumin e ri këtë të shtunë.
Beckham njoftoi fillimin e ndërtimit të projektit, i njohur atëherë si Miami Freedom Park, në vitin 2023, tre vjet pas themelimit të klubit. Që nga sezoni i parë, Inter Miami ka luajtur në stadiumin Chase në Fort Lauderdale, me një kapacitet prej 21,500 vendesh.
Duke u zhvendosur në një vendndodhje të re pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Miamit, kapaciteti do të rritet në 26,700 spektatorë.
Beckham postoi në Instragram një video të seancës së parë stërvitore të ekipit në stadiumin NU, me mbishkrimin “Shtëpia jonë e re”.
Videoja tregon fushën e shkëlqyer rozë dhe të bardhë, dhe Beckham ndau gjithashtu foto të tij duke testuar barin. Ndjekës të shumtë i dërguan urimet e tyre.
Ndër të parët që komentuan ishin djali i tij Romeo dhe ish-shoku i skuadrës Gary Neville, të cilët lanë emoji zemrash, ndërsa nëna e Beckham, Sandra, shkroi: “Jam shumë krenare, fusha duket e mrekullueshme xx”.
Një tribunë do të mbajë emrin e Messit
Stadiumi ndodhet në zemër të Miami Freedom Park, një kompleks prej 1 miliard dollarësh i projektuar si një qendër argëtimi prej 131 hektarë.
Beckham dhe bashkëpronari Jorge Mas kishin planifikuar të zhvendoseshin në stadiumin NU për të përkuar me sezonin e fundit të Lionel Messit me klubin, në verën e vitit 2025. Megjithatë, projekti është vonuar me rreth nëntë muaj.
Klubi ishte me fat sepse superylli argjentinas nënshkroi një zgjatje kontrate në tetor që e lidh atë me Inter Miamin deri në fund të sezonit 2028.
Messi tani do të ketë nderin të luajë sezonin e tij të fundit në një stadium ku një nga tribunat mban emrin e tij. Klubi njoftoi se një nga tribunat do të emërohet sipas fituesit të tetë herë të Topit të Artë, duke e përshkruar atë si një “ngjarje të rrallë dhe unike”. /Telegrafi/