Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, me 63 vota pro ka miratuar në lexim të parë Projektligjin nr. 10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Miratimi i këtij ligji u parapri nga një debat mes pozitës dhe opozitës. Deputetët e opozitës nuk e mbështetën.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i autorizuar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila paraqiti fillimisht në Kuvend projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Sipas tij, ky projektligj synon vendosjen e masave, me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe interesi publik.
“Një projektligj që është përgjigje politike dhe shtetërore ndaj një nevoje reale të qytetarëve të Kosovës që shteti të mos mbetet si spektator për kur çmimet e produkteve bazë dalin jashtë logjikës ekonomike dhe rëndon drejtpërdrejt në familjet tona’, ka thënë Murati. Ky projektligj synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut, me fokus të qartë në mbrojtjen e konsumatorit dhe interesit publik”, tha Murati.
Murati u shpreh se ky projektligj nuk është kundër bizneseve, por që ai thotë se e ndan kufirim mes fitimit të ligjshëm dhe abuzimit në rrethana të krizës.
“Pra, kemi të bëjmë me një instrument të jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme, jo me një mekanizëm të përhershëm të ndërhyrjeve në ekonomi. Për këtë arsye, ky projektligj nuk është kundër biznesit, as kundër tregut të lirë, përkundrazi është ligj për rregull, parashikueshmëri”, tha Murati.