Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka njoftuar se aktualisht nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë.
Sipas Ministrisë, të dhënat nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve tregojnë se stoqet janë në nivel të rregullt dhe në suazat e zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Furnizimi në treg konsiderohet stabil dhe pa ndërprerje.
Ministrja ka theksuar se nuk ka asnjë arsye për panik apo për krijim të rezervave të panevojshme, duke shtuar se stabilizimi i çmimeve në bursat ndërkombëtare nuk jep bazë për rritje të çmimeve në tregun vendor.
“Institucionet do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër tregun për të garantuar stabilitet në furnizim dhe çmime të drejta për qytetarët dhe bizneset,” ka shkruar Kusari në Facebook.
Kusari shtoi se ministria po monitoron gjithashtu zbatimin e vendimit për marzhën e fitimit, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është i angazhuar maksimalisht në terren për të siguruar respektimin e këtij vendimi dhe mbrojtjen e konsumatorëve.