Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 24 marsin e vitit 1998, duke e cilësuar rezistencën e armatosur në Gllogjan si një nga momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare në vend.
Në një postim, Kurti theksoi heroizmin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e dëshmorëve të asaj dite.
“28 vite më pas nga ajo ditë, e kujtojmë sot rezistencën e armatosur në Gllogjan të Deçanit, heroizmin e luftëtarëve dhe lavdinë e veprës së dëshmorëve të asaj dite. Më 24 mars të vitit 1998, njësite të policisë së Serbisë e ekzekutuan një operacion policor kriminal ndaj grupit të luftëtarëve të asaj pjese të Dukagjinit, ku ishin organizuar disa prej grupeve më të hershme dhe më aktive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai përshkroi përballjen e forcave serbe me rezistencën e armatosur të luftëtarëve në Gllogjan gjatë gjithë ditës së 24 marsit.
“Që nga orët e para të paradites së 24 marsit, gjatë tërë ditës e deri në mbrëmje, njësite të policisë serbe nga Peja, Gjakova dhe Deçani, u përballën me një rezistencë të armatosur heroike rreth shtëpive të Hilmi Haradinajt, shtëpisë së Smajl e Rasim Haradinajt, në shtëpitë e Zeqë e Ibrahim Mustafës, në shtëpinë e Xhafer Sadriut dhe të Islam Hasanit”, u shpreh kryeministri.
Kurti vlerësoi gjithashtu qëndresën e familjes Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tyre.
“Hilmi Haradinaj me djemtë e tij Ramushin, Shkelzenin, Dautin, Frashërin dhe Enverin, me motrën e tyre Memen, bashkë me kushërinjt Rasimin dhe Bujarin, si dhe me nipin Kujtim Zeneli, përkundër gjasave të pakta përballë forcave të shumta serbe, arritën t’i zmbrapsin ata. Rezistenca e tyre e armatosur dhe plot heroizëm, u shkaktoi humbje të mëdha forcave serbe, që në mbrëmje u tërhoqën të mposhtura”, tha Kurti.
Ai përkujtoi edhe dëshmorët që ranë gjatë përpjekjeve për të ndihmuar civilët.
“Në anën tjetër të fshatit, duke dashur t’i ndihmojnë nxënësit e marrë peng në shkollën e fshatit Shaptej, ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj”, u shpreh Kurti.
Kryeministri përmendi edhe plagosjen e rëndë të Ramush Haradinajt në atë ditë.
“Atë ditë, më 24 mars 1998, u plagos rëndë dy herë Ramush Haradinaj, por arriti t’u mbijetonte plagëve duke e vazhduar luftën si Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi Kurti.
Në fund, Kurti theksoi rëndësinë historike të kësaj beteje në luftën çlirimtare të Kosovës.
“Rezistenca e armatosur në Gllogjan më 24 mars 1998, ishte një nga kapitujt e parë të betejave të popullit të Kosovës në luftën çlirimtare të viteve 1998 dhe 1999. Lavdi dëshmorëve dhe nderime mes mirënjohjesh luftës së luftëtarëve të UÇK-së, në Gllogjan, në Dukagjin dhe në tërë Kosovën!”, deklaroi kryeministri. /Telegrafi/