Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e parë të Qeverisë së Kosovës tha se shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, me punë, zell e përkushtim është privilegji më i madh që mund ta kenë dhe ta gëzojnë.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se pritjet që qytetarët kanë nga ata janë dëshmi e standardit që kanë vendosur dhe që duhet të nderohet dhe të përmbushet çdo ditë.
“Mësimet që kemi nxjerrë përgjatë mandatit të kaluar dhe përvojën që kemi fituar më bën të besojë se ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë kabineti qeveritar më i suksesshëm në historinë e re të Republikës sonë që shumë shpejt i mbush 18 vjet. Pritjet që qytetarët kanë nga ne janë dëshmi e standardit që kemi vendosur vet ne, e që duhet ta nderojmë dhe përmbushim çdo ditë”, tha ai.
Kurti tha se vitin e kaluar Kuvendi u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar përfitimet nga ato.
“Me kuvendin e legjislaturës së 10-të të konsistuar dje dhe me votën tuaj sot po i japim Kuvendit një mundësi tjetër për t’i ratifikuar këto marrëveshje ndërkombëtare”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se sot do të riprocedohet në Kuvend Projektligji për buxhetin e vitit 2026.
“Ky buxhet e përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorët publikë që paguhen nga buxheti, pagë që do të paguhet sapo të hyjë në fuqi Ligji i Buxhetit”, tha ai.
Tutje Kurti bëri të ditur se ky buxhet përmban edhe ndryshimin e nevojshëm që mundëson rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para.
Ai para kabinetit qeveritar foli edhe për çështjen e presidentit.
“E pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë, votimi i buxhetit dhe marrëveshjes ndërkombëtare. Porsa, të përfundojnë këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontakte dhe diskutime me subjektet tjera politike për çështjen e presidentit”, tha ai. /Telegrafi/