Në ditën e fundit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, Espen Barth Eide.
Zyra e Kryeministrit, njofton se gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar që krijon marrëveshja EFTA, dhe fusha tjera me interes të përbashkët.
“Në takim u veçua sektori i ekonomisë, teknologjisë, energjisë, minierave dhe mineraleve dhe infrastrukturës. Kryeministri Kurti theksoi planet dhe projektet e mëdha kapitale të qeverisë gjatë këtij mandati të ri në infrastrukturë kritike, sportit dhe transportit, të cilat njëherësh paraqesin edhe mundësi për investitorë të huaj”, vijon tutje njoftimi.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për miqësinë, kontributin dhe mbështetjen e Norvegjisë ndaj Kosovës dhe mbështetjen e Norvegjisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës./Telegrafi/