Arbër Hajdari ishte i ftuar së fundmi në emisionin “Goca dhe Gra”, ku foli për eksperiencën e tij si opinionist në Big Brother VIP Albania, për punën humanitare në fondacionin “Fundjava Ndryshe” dhe për jetën e tij familjare.
Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ishte një letër e veçantë dhe shumë emocionale nga babai i tij, Shkëlqim Hajdari.
Në letër, babai shprehet se është krenar për Arbrin dhe thekson se gjatë një periudhe të vështirë shëndetësore, Arbri mori përsipër detyra të rëndësishme familjare dhe i kryeu me dinjitet.
“Kur unë isha sëmurë, ti u kujdese për familjen”, shkruhet në letër, ndërsa Shkëlqimi shton: “Jam krenar që me vëllain dhe motrën duheni sikur të ishit fëmijë”.
Ai gjithashtu i uron sukses në jetë dhe i kujton rëndësinë e kontributit ndaj familjes dhe komunitetit: “Bëfsh punë të hajrit gjithë jetën për familjen tënde të madhe, për njerëzit në nevojë dhe për Shqipërinë”.
Letra e plotë:
I dashur Arbër!
Dëshmitarët e punëve që bën ti janë të shumtë, kudo ku ka shqiptarë që punojnë e jetojnë.
Me të drejtë, shumica e tyre flasin me respekt për kontributin që ti tashmë jep prej vitesh, si në fondacion ashtu edhe në “Big Brother”.
Ky publik sot duhet të njihet edhe me disa punë të tjera, për të cilat ti je zotuar dhe unë jam dëshmitar.
Para 5 vitesh, unë kalova një moment të vështirë shëndetësor dhe, ndaj, vendosa që kompetencat në drejtimin e familjes t’i delegoj tek ty.
Sot, pas 5 vitesh, konstatoj se ti je një djalë “babë”, siç themi ne shqiptarët për djemtë dinjitozë; një bir nëne që, megjithë ngarkesën që ke, nënën tënde e ke prioritet në përkujdesje.
Arbër, jam krenar që me vëllain dhe motrën duheni sikur të ishit fëmijë të vegjël. Jam krenar për ty si babai shembullor i Rainës, më e vogla e familjes sonë.
Je një bashkëshort mirëkuptues dhe jam krenar për marrëdhënien e ngrohtë që keni krijuar bashkë. Me miqtë e mi në Kosovë, që ti dhe Vlera na bëtë krushq, ke një raport sikur të jesh djalë i asaj shtëpie.
Ndaj, sot publikisht, merre hallallin e babës, se edhe ky është po kaq i rëndësishëm sa ai i nënës. Bëfsh punë të hajrit gjithë jetën për familjen tënde të madhe, për njerëzit në nevojë dhe për Shqipërinë.
Paç shëndet e jetë të gjatë, biro!
Shkëlqim Hajdari
P.S. Të fala dhe përqafime gocave që të kanë ftuar aty! /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com