Edhe pa qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë, njerëzit mund të përjetojnë reagime të forta stresi dhe traume përmes pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale
Shëndeti mendor ndikon në mënyrën se si mendojmë, si ndihemi dhe si funksionojmë në jetën e përditshme. Ai nuk është i ndarë nga jeta reale, por përbën themelin e saj; nuk është luks, por parakusht për një jetë cilësore, theksojnë psikologët. Megjithatë, rrjetet sociale na kanë mundësuar që, në mënyrë të tërthortë, të jemi dëshmitarë të shumë skenave tronditëse dhe të dhunshme që ndodhin në shoqërinë tonë.
Ndikimi psikologjik i videove të dhunshme – ekspozimi dytësor ndaj dhunës
Ky ekspozim dytësor ndaj dhunës nuk mbetet pa pasoja. Studime kërkimore të realizuara pas sulmeve të mëdha apo fatkeqësive natyrore kanë treguar se personat që i kanë parë vazhdimisht pamjet e këtyre ngjarjeve kanë përjetuar nivele të rritura të stresit post-traumatik, thotë James Densley, profesor dhe kryetar i Shkollës për Kriminologji dhe të Drejtë Penale në Metro State University në Mineapolis.
– Në disa raste, ndikimi në shëndetin mendor pothuajse barazohet me ndikimin te personat që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen, vlerëson profesori Densley, duke shpjeguar se shikimi i videove të dhunshme mund të çojë në traumë dytësore ose indirekte, veçanërisht sepse rrjetet sociale e përforcojnë ndikimin e tyre.
– Mund të shfaqen ankth, mendime ndërhyrëse dhe çrregullime të gjumit. Kjo ndodh kur një person “thith” peshën emocionale dhe psikologjike të vuajtjes së dikujt tjetër përmes ekspozimit të përsëritur. Bëhet fjalë për një reagim stresi që, praktikisht, nuk dallon nga ekspozimi i drejtpërdrejtë, thekson ai, transmeton Telegrafi.
Sistemi nervor aktivizohet nga skenat e dhunës
Empatia është aftësia për të ndjerë dhe kuptuar vuajtjen e të tjerëve, ndërsa reagimi ndaj traumës është një përgjigje biologjike ndaj stresit. Empatia është një vlerë pozitive dhe mund të nxisë angazhim konstruktiv. Por, kur sistemi ynë nervor aktivizohet vazhdimisht nga skenat e dhunës, njerëzit mund të zhvillojnë hipervigjilencë, mpirje emocionale ose sjellje shmangëse, shpjegojnë psikologët.
Sot, rrjetet sociale transmetojnë pamje dhune në mënyrë të vazhdueshme, të paparashikueshme dhe shpesh pa asnjë paralajmërim. Nga këndvështrimi i reagimit ndaj stresit, kjo do të thotë se truri nuk ka kurrë mundësi të tërhiqet plotësisht dhe të qetësohet. Për më tepër, pamjet e sotme janë shumë më intensive dhe realiste sesa, për shembull, pamjet e atentatit ndaj presidentit John F. Kennedy apo të Luftës së Vietnamit.
Në të kaluarën, pamjet dukeshin më të filtruara dhe më të distancuara, jo vetëm për shkak të montazhit redaksional, por edhe për shkak të cilësisë së ulët teknike. Sot, gjithçka transmetohet në definicion të lartë, me zë rrethues, duke e bërë përvojën shumë më reale dhe më tronditëse.
Si reagon truri ndaj skenave të dhunës nga ambienti i afërt?
– Truri i njeriut nuk është krijuar për të shikuar pasivisht skena reale dhune pa pasoja. Sa herë që shikoni një video të tillë, sistemi nervor reagon sikur ngjarja po ju ndodh juve personalisht, e jo dikujt të largët. Çdo shikim shtesë e përforcon stresin. Prandaj, ndryshe nga ideja se njerëzit “mësohen” me dhunën, ekspozimi i përsëritur e thellon lodhjen emocionale dhe vuajtjen, shpjegon profesori Densley.
I pyetur nëse disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj pasojave psikologjike, ai shton:
– Disa individë janë më të prirur ndaj reagimeve traumatike për shkak të përvojave të tyre të mëparshme me traumën. Për shembull, nëse jeni pjesë e një grupi pakicë që ka përjetuar dhunë nga policia, pamje të tilla mund të veprojnë si nxitës të fortë emocionalë. Po ashtu, kur ngjarjet e dhunshme ndodhin në vende që njerëzit i njohin, në qytetin apo lagjen e tyre, rreziku për reagime të forta stresi rritet ndjeshëm. /Telegrafi/