Një grup fëmijësh nga Biblioteka “Linkest” në Manastir vizituan sot Kryeministrinë e Shqipërisë, ku zhvilluan një takim të veçantë me kreun e qeverisë Edi Rama.
Në këtë takim mori pjesë edhe Denion Meidani, ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, i cili vuri në dukje rolin e Ambasadës në mbështetjen e aktiviteteve kulturore dhe edukative për komunitetin shqiptar jashtë vendit.
“Në Kryeministri, së bashku me fëmijët nga Biblioteka “Linkest” në Manastir, në një takim të veçantë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Fëmijë që mbajnë gjallë gjuhën shqipe, librin shqip dhe dashurinë për identitetin tonë, edhe përtej kufijve”.
“Çdo fjalë e mësuar, çdo libër i lexuar në shqip është një urë që lidh brezat dhe një dëshmi se bijtë e shqipes, kudo që janë, e mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre. Ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit”, shkruan Meidani në një postim në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe fotografi nga takimi.