Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), të mbajtur të enjten në Nju Jork, u zhvillua një debat i gjerë mbi situatën në Kosovë.
Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza të ndërsjella, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusia dhe disa vende të tjera paraqitën qëndrime të ndryshme për dialogun dhe zhvillimet në terren.
Në qendër të diskutimit ishin: procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi, situata e sigurisë në veri të Kosovës, roli i UNMIK-ut, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Kosova, kanë insistuar që puna e misionit të UNMIK-ut në Kosovë ka mbaruar, përderisa Serbia ka insistuar në vazhdimin e punës së tij.
Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.
Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së vendit në shkurt të vitit 2008, UNMIK-u i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.
Konjufca në OKB: Serbia po pengon normalizimin, duhet të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe fqinjësore, por sipas tij, pengesa kryesore në këtë proces vazhdon të jetë Serbia.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE,” ka deklaruar ai.
Ai i bëri thirrje Beogradit që të ballafaqohet me realitetin dhe të njohë Kosovën, duke shtuar se veprimet e Serbisë po mbajnë peng të gjithë rajonin.
Në fjalën e tij, Konjufca akuzoi Beograd për ndërhyrje në proceset demokratike në Kosovë, përfshirë përpjekjet për të ndikuar në zgjedhje përmes mbështetjes së Lista Serbe.
“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet përmes një partie në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike,” është shprehur ai.
Konjufca përfundoi duke theksuar se pavarësisht sfidave, Kosova do të vazhdojë të mbrojë rendin demokratik dhe sovranitetin e saj.
Serbia vazhdon viktimizimin në Këshillin e Sigurimit për serbët në Kosovë
Kreu i diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, ka deklaruar se roli i UNMIK-ut duhet të forcohet, duke kritikuar zërat që kërkojnë mbylljen e këtij misioni.
Sipas tij, prania dhe mandati i UNMIK-ut mbeten të domosdoshme për stabilitetin në terren dhe për adresimin e situatës në Kosovë.
Gjuriq ka folur edhe për gjendjen e serbëve në Kosovë, duke pretenduar se ata, sipas tij, po trajtohen si “të tjerët” nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Ai ka thënë se Kombet e Bashkuara nuk duhet të heshtin për këtë çështje.
“Ajo që ndodh në Kosovë sot është çështje e përgjegjësisë së përbashkët në provën e kredibilitetit të rendit ndërkombëtar. Faktet janë shqetësuese”, ka deklaruar Gjuriq, pa ofruar argumente konkrete.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për atë që e ka quajtur “eksod” të serbëve nga Kosova, duke kërkuar që kjo, sipas tij, të ndalet.
Në fjalën e tij në KS të OKB-së, Gjuriq ka kërkuar edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Britania në KS të OKB-së: Thirrje për njohjen e Kosovës dhe ndëshkimin e përgjegjësve të sulmit në Banjskë
Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe ka bërë thirrje që sa më shumë shtete anëtare të OKB-së ta njohin Kosovën si shtet, duke theksuar se një hap i tillë është thelbësor për stabilitetin afatgjatë në rajon.
Ajo ka kujtuar se Mbretëria e Bashkuar ishte ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke vlerësuar se procesi i njohjes mbetet i rëndësishëm për konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Gjatë fjalimit të saj, ajo ka vlerësuar edhe proceset zgjedhore në Kosovë, si dhe ka përmendur si hap konstruktiv zgjidhjet për zbatimin e Ligjit për të huajt.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesja britanike ka përsëritur thirrjen drejtuar Serbisë për uljen e tensioneve dhe për vënien para drejtësisë të përgjegjësve të sulmit në Banjskë.
“Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të zgjidhin mospajtimet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka përmendur sërish sulmin në Banjskë, duke kërkuar që autorët e tij, përfshirë Millan Radoiçiçin, të përballen me drejtësinë në Serbi.
“Pas më shumë se dy vitesh nga sulmi në Banjskë, ne përsërisim thirrjen tonë që Serbia të sjellë para përgjegjësisë autorët, përfshirë Radoiçiçin”, ka thënë përfaqësuesja britanike
SHBA në KS të OKB-së: Kurti dhe Vuçiq të shmangin eskalimet, Trump po ju ndjek me vëmendje
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka deklaruar se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë një të ardhme të sigurt, pa tensione politike dhe pa probleme të ricikluara.
Sipas saj, mesazhi i Uashingtonit për ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe homologun serb Marko Gjurić, është i qartë: e vetmja rrugë përpara është normalizimi i marrëdhënieve.
Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë popullin e të dy vendeve si miq dhe se ata meritojnë një të ardhme pa tensione politike dhe pa kriza të përsëritura.
“Mesazhi ynë për z. Gjuriq dhe z. Konjufca është i thjeshtë: rruga e vetme përpara është normalizimi”, ka thënë Bruce.
Në deklaratën e saj, ajo shtoi se edhe presidenti amerikan Donald Trump dhe populli amerikan po e ndjekin me vëmendje procesin e dialogut mes dy vendeve.
“Z. Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku”, ka deklaruar ajo.
Bruce ka theksuar gjithashtu se Uashingtoni shpreson të shohë ulje tensionesh mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vučić, duke i inkurajuar të dy palët të ulen në tryezën e dialogut.
“Shpresojmë që Kurti dhe Vuçiç të ulin tensionet, të shmangin eskalimin dhe të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë ngushtë me liderë që shohin nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara, me një dialog të vërtetë, jo teatër”, ka përfunduar ajo.
SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut në Kosovë: Misionit i ka ardhur fundi
Bruce, ka përsëritur qëndrimin e Uashingtonit për mbylljen e misionit të UNMIK-ut, duke thënë se ai nuk pasqyron më realitetin në terren në Kosovë.
Ajo theksoi se UNMIK-u, i krijuar në vitin 1999 në bazë të Rezolutës 1244 për stabilizimin e situatës pas luftës, i përket një konteksti tjetër historik dhe nuk ka më funksionin për të cilin ishte themeluar.
“UNMIK-u është krijuar më 1999 për një realitet tjetër. Sot Kosova është tjetër vend dhe nuk ka arsye të trajtohet si në vitin 1999”, u shpreh Bruce.
Sipas saj, siguria në Kosovë aktualisht garantohet nga KFOR-i, ndërsa UNMIK-u nuk luan më rol as qeverisës, as ushtarak dhe as ndërmjetësues në proceset politike.
Ajo u bëri thirrje vendeve financuese të rishqyrtojnë mbështetjen për misionin, duke ngritur pyetjen për rolin aktual të tij në terren.
Bruce po ashtu theksoi se rruga e vetme përpara është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke bërë thirrje për deeskalim dhe dialog të mirëfilltë.
“Shpresojmë që liderët të ulin tensionet dhe të angazhohen në një dialog të vërtetë, jo në teatër politik”, deklaroi ajo.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Kinës në KS të OKB-së ka theksuar se themelimi dhe zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për stabilitet në Kosovë.
Ai tha se UNMIK-u ka luajtur rol të rëndësishëm në stabilitet dhe se duhet të vazhdojë të funksionojë në kuadër të Rezolutës 1244, duke kërkuar një zgjidhje të pranueshme përmes dialogut mes palëve.
“Konsolidimi është rruga e duhur për Kosovën. Asociacioni duhet të implementohet dhe sovraniteti i Serbisë duhet të respektohet plotësisht”, u shpreh përfaqësuesi kinez.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Greqisë ka mirëpritur mundësinë e zgjatjes së mandatit të EULEX-it, nëse kjo kërkohet, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në Bashkimin Evropian.
Ajo ka bërë thirrje që të dyja palët të mbeten të angazhuara në procesin e dialogut dhe të ruajnë stabilitetin në rajon
Franca në OKB: Dialogu Kosovë–Serbi kyç për normalizim, të zbatohet Marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit
Përfaqësuesi i Francës në Kombet e Bashkuara, Jérôme Bonnafont, ka theksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalimin e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bonnafont tha se e ardhmja e dy vendeve është e përbashkët në kuadër të integrimit evropian dhe një mjedisi paqeje e prosperiteti.
Ai vlerësoi se rruga drejt integrimit është komplekse, por në interes të të dy popujve, duke theksuar nevojën për ndërtimin e shteteve që tejkalojnë plagët e së kaluarës dhe forcojnë demokracinë pluraliste.
Përfaqësuesi francez u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke e cilësuar atë si mekanizëm të rëndësishëm dhe efektiv për normalizim.
Bonnafont përgëzoi gjithashtu përparimet e fundit në dialog, si dhe miratimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë, duke theksuar se ai është realizuar në konsultim me Bashkimin Evropian dhe se zbatimi i tij duhet të ndiqet nga afër në bashkëpunim me BE-në dhe përfaqësuesit relevantë.
Ai nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit, duke i cilësuar si bazë për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe kërkoi rol aktiv të OKB-së dhe UNMIK-ut në këtë proces.
Sipas tij, kthimi i pjesëmarrjes së serbëve në institucionet dhe qeverisjen lokale në Kosovë është thelbësor për stabilitetin dhe funksionimin demokratik.
Në lidhje me sulmin në Banjskë, Franca kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Ai ritheksoi mbështetjen për UNMIK-un, KFOR-in dhe EULEX-in, duke theksuar angazhimin e Francës për paqe afatgjatë dhe pajtim mes Kosovës dhe Serbisë.
Bonnafont deklaroi se Franca mbetet e angazhuar në procesin e dialogut dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje institucionale dhe ndërkombëtare për stabilitet, drejtësi dhe bashkëpunim afatgjatë mes dy vendeve.
Përfaqësuesi rus në OKB fantazon për spastrim të joshqiptarëve nga Kosova
Përfaqësuesi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka akuzuar autoritetet në Kosovo për, siç tha ai, “ultranacionalizëm” dhe pretendime për “spastrim etnik të joshqiptarëve”, duke mos paraqitur asnjë provë konkrete për këto deklarata.
Në fjalën e tij, ai ka përsëritur pretendime se në Kosovë po ndodh falsifikim i historisë dhe se, sipas tij, ekziston dhunë dhe frikësim ndaj civilëve nga forcat e sigurisë. Po ashtu, ai ka përmendur edhe ligjet për të huajt dhe automjetet, duke i cilësuar si masa që, sipas tij, ndikojnë tek komunitetet joshqiptare.
“Regjimi ultranacionalist i të ashtuquajturit kryeministër Albin Kurti po përshpejton spastrimin e popullatës joshqiptare në krahinë, dhe është tkurrja ekonomike, zgjerimi i forcave të sigurisë në veri, dhuna nga forcat e sigurisë dhe frikësimi ndaj civilëve, e edhe përndjekja penale ndaj civilëve serbë përfshirë edhe marrjen e pronave të tyre”.
“Një shembull tjetër i qartë i nacionalizmit është i ashtuquajturi ligji për të huaj dhe ai për vetura. Serbët janë ballafaquar me një zgjedhje të rëndë, ose të pranojnë të ashtuquajturën shtetësi të Kosovës ose të largohen”, ka deklaruar ai.
Deklaratat ruse u shoqëruan me pretendime të tjera për presion ndaj serbëve në Kosovë dhe me kritika ndaj situatës së sigurisë në veri të vendit.
Po ashtu, përfaqësuesi rus ka pretenduar se marrëveshja ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci ka karakter anti-serb.
Akuzat e Moskës u paraqitën gjatë debatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua raporti më i fundit për situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet me Rusia.