Nxitja e përçarjes ndëretnike dhe ndërfetare mbetet një instrument sistematik, i planifikuar dhe shumëdimensional në strategjinë e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, vlerëson Arben Fetoshi, drejtor i Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’, në një analizë të publikuar me rastin e Krishtlindjes Ortodokse.
Sipas Fetoshit, narrativat e përçarjes ndëretnike dhe ndërfetare kanë penguar integrimin e komunitetit serb në Kosovë dhe janë shfrytëzuar për ta instrumentalizuar atë kundër Republikës së Kosovës.
Këto narrativa, thekson ai, janë shoqëruar me një “viktimizim” perfid, ku Kosova paraqitet si shtet “terrorist” dhe që “cenon” liritë fetare, shqiptarët si “ekstremistë islamikë”, dhe së fundmi edhe diaspora shqiptare si “ndërhyrje” kundër mirëkuptimit dhe bashkëjetesës në Kosovë.
Derisa përçarja ndëretnike përbën themelin e kësaj strategjie – përmes kornizimit të Kosovës si kërcënim për serbët lokalë dhe “justifikimit” të ndërhyrjes së Beogradit – përçarja ndërfetare, sipas analizës, përfshin rolin aktiv dhe të sofistikuar të Kishës Ortodokse Serbe në përpjekjet për ta portretizuar Kosovën si shoqëri radikale dhe jo tolerante në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
Fetoshi thekson se këto dy konstante të strategjisë destabilizuese amplifikohen veçanërisht gjatë periudhave festive, si Krishtlindja Ortodokse sot, kur pretendimet e Gjuriqit për “ngacmime” e “presione” apo për triumfin e “Mbretërisë Qiellore” të peshkopit Ilarion, mund të pranohen më lehtë në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
“Në vend që festat të jenë momente reflektimi për paqen dhe bashkëjetesën, Krishtlindja Ortodokse instrumentalizohet në strategjinë e viktimizimit, për të nxitur përceptimin e një ‘rreziku’ ndaj besimit ortodoks dhe trashëgimisë fetare serbe në Kosovë”, vlerëson ai.
Sipas drejtorit të Institutit Octopus, përmes deklaratave të sinkronizuara të zyrtarëve shtetërorë, përfaqësuesve të Kishës Serbe dhe mediave në Serbi, ndërtohet narrativa e “rrethimit” dhe “persekutimit”, e cila synon ta mbajë komunitetin serb në gjendje izolimi dhe frike të përhershme.
Kjo, sipas tij, përbën një mjet të sofistikuar të luftës hibride që synon ta dëmtojë imazhin e Kosovës dhe të nxisë dyshime te partnerët perëndimorë.
“Derisa në shoqëritë normale, festat fetare e forcojnë kohezionin shoqëror, në rastin e Serbisë ato keqpërdoren si “armë” politike në emër të fesë”, thotë Fetoshi, duke nënvizuar se liria dhe toleranca fetare në Kosovë kanë qenë dhe mbeten vlera të pacenueshme kulturore, përtej garancive kushtetuese.
Sipas Fetoshit, demaskimi i kësaj strategjie është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe paqen në Ballkan, ndërsa një kundërpërgjigje e qartë, e bazuar në faktet historike të bashkëjetesës dhe respektit ndërfetar në Kosovë, mbetet e domosdoshme për neutralizimin e përdorimit të festave si mjete destabilizimi.