Ata krijuan Siri-n me një ide shumë më të madhe se një asistent që vendos alarmet apo luan muzikë. Gati dy dekada më vonë, krijuesit e saj besojnë se teknologjia më në fund po i afrohet vizionit origjinal – një inteligjencë artificiale që jo vetëm jep përgjigje, por kryen veprime në emër të përdoruesit.
Dag Kittlaus dhe Adam Cheyer, dy prej krijuesve të Siri-t, prej vitesh mendojnë për atë që mund të vijë pas motorëve tradicionalë të kërkimit. Bashkë me Tom Gruber, ata themeluan startup-in Siri në vitin 2007, bazuar në një koncept të zhvilluar nga Kittlaus dhe Cheyer në Stanford Research Institute.
Që në fillim, ideja e tyre nuk ishte thjesht të krijonin një tjetër motor kërkimi. Ata synonin një “do engine” – një motor që kryen veprime.
“Ne thoshim: nëse dëshiron të gjesh një faqe interneti, shko te një motor kërkimi si Google. Nëse dëshiron të bësh diçka, shko te një ‘do engine: Siri’”, ka treguar Cheyer për CNN.
Apple e bleu kompaninë Siri për më shumë se 200 milionë dollarë, sipas raportimeve të kohës, dhe e prezantoi asistentin në iPhone 4S në vitin 2011.
Që atëherë, Siri është bërë pjesë e pandashme e ekosistemit Apple dhe është integruar në miliarda pajisje, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, përdorimi i saj nga shumica e konsumatorëve ka mbetur relativisht bazik: vendosja e alarmeve, luajtja e muzikës, dërgimi i mesazheve apo komandimi i pajisjeve inteligjente.
Kjo pritet të ndryshojë me versionin e ri të Siri-t, të ndërtuar për epokën e inteligjencës artificiale.
Apple po sjell një Siri tërësisht të ridizajnuar si pjesë e iOS 27. Versioni i ri i asistentit mund të analizojë atë që shfaqet në ekranin e iPhone-it, të ndërveprojë me aplikacionet dhe të përdorë informacione nga kalendari, mesazhet dhe aplikacione të tjera për të dhënë përgjigje më personale.
Kjo është pikërisht ajo që Kittlaus dhe Cheyer e shohin si hap drejt vizionit të tyre origjinal.
Të dy, të cilët nuk janë më të përfshirë në zhvillimin e Siri-t dhe u larguan nga Apple pak kohë pas blerjes së kompanisë, besojnë se Apple ka disa avantazhe të rëndësishme në garën e AI-së.
Mes tyre janë ekosistemi gjigant i App Store, përhapja e iPhone dhe Apple Watch dhe fokusi i Apple te privatësia.
Një prej ndryshimeve më të rëndësishme është aftësia e Siri-t për të përdorur informacionin që ndodhet në pajisjet e përdoruesit.
Gjatë testimit të një versioni beta, CNN zbuloi se Siri mund të gjente një takim të ardhshëm te dentisti duke përdorur një mesazh konfirmimi në aplikacionin Messages.
Asistenti ishte gjithashtu në gjendje të gjente më shumë informacion për një grup muzikor që një mik e kishte rekomanduar në një mesazh dhe të ruante në Siri një recetë për sallatë me lakër të dërguar nga Instagrami, në mënyrë që të mund të gjendej më vonë.
Kjo e zhvendos Siri-n nga një asistent që përgjigjet në pyetje të përgjithshme në një sistem që kupton kontekstin personal të përdoruesit dhe ndërvepron me aplikacionet e tij.
Google, me Android, Gmail dhe Google Maps, ka një avantazh të ngjashëm në këtë drejtim.
Apple po përpiqet ta përdorë privatësinë si një prej avantazheve kryesore ndaj rivalëve si ChatGPT dhe Gemini.
Për detyrat e AI-së që kërkojnë më shumë fuqi kompjuterike sesa mund të ofrojë pajisja, Apple përdor sistemin Private Cloud Compute. Sipas kompanisë, në serverët e saj dërgohen vetëm të dhënat që janë të nevojshme për një detyrë të caktuar.
Apple e ka zgjeruar këtë qasje edhe te Google Cloud, pasi përdor Gemini për disa prej funksioneve të saj të inteligjencës artificiale.
Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur konsumatorët po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm për mënyrën se si sistemet e AI-së përdorin të dhënat personale.
Për shumë vite, problemi kryesor ishte teknologjik. Asistentët virtualë si Siri, Alexa dhe Google Assistant shpesh kishin vështirësi të kuptonin kërkesa të formuluara në mënyrë natyrale. Për veprime më komplekse, përdoruesit duhej t’i lidhnin manualisht asistentët me aplikacione të ndryshme.
Sot situata ka ndryshuar ndjeshëm. Modelet e mëdha gjuhësore e kanë bërë më të lehtë për asistentët e AI-së të kuptojnë kërkesa të gjera, të kryejnë detyra me disa hapa dhe të ndërveprojnë me aplikacione të ndryshme.
Por pikërisht këtu shfaqet një problem i ri – interesat e kompanive që zotërojnë aplikacionet.
Nëse përdoruesit mund t’i kërkojnë Siri-t, Gemini-t apo ChatGPT-së të blejnë produkte, të rezervojnë restorante apo të planifikojnë udhëtime, ata mund të kenë gjithnjë e më pak nevojë të hapin vetë aplikacione si Uber, Amazon, OpenTable apo Airbnb.
Sipas Kittlaus, kompanitë mund të mos jenë të gatshme të lejojnë Apple-in të ndryshojë mënyrën se si konsumatorët ndërveprojnë me shërbimet e tyre.
Apple deklaroi gjatë prezantimit të fundit të iPhone se Siri AI tashmë funksionon me më shumë se 300 mijë aplikacione, megjithëse kjo përfaqëson vetëm një pjesë të ekosistemit të App Store, i cili kishte më shumë se 2 milionë aplikacione që një dekadë më parë.
Krijuesit e Siri-t e shohin këtë si një prej sfidave më të mëdha të së ardhmes: nëse agjentët e AI-së bëhen ndërmjetësit kryesorë mes përdoruesve dhe shërbimeve online, mënyra tradicionale e funksionimit të internetit mund të ndryshojë rrënjësisht.
Kittlaus tregoi gjithashtu se u largua nga Apple pas vdekjes së Steve Jobs, pasi kishte shqetësime se vizioni që kishte ndarë me Jobs nuk po kuptohej plotësisht nga drejtuesit e kompanisë.
Megjithatë, vizioni i tij për Siri-n nuk ka ndryshuar.
“Ky vizion nuk ka ndryshuar aspak. Por askush nuk e ka bërë ende”, tha Kittlaus.
Dhe pikërisht kjo është gara e re e inteligjencës artificiale: jo thjesht të marrësh një përgjigje nga AI, por t’i thuash asaj çfarë dëshiron dhe ta lësh sistemin ta bëjë vetë. /Telegrafi/