Alternativa, parti kjo që drejtohet nga Mimoza-Kusari Lila ka dalë me reagim publik pasi Supremja refuzoi ankesën e tyre për ndarjen e fondeve partiake.
“Subjekti politik “Alternativa” shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për faktin se, përveç vendimit të KQZ-së për mos përfshirjen në caktimin e mjeteve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, edhe PZAP dhe Gjykata Supreme kanë refuzuar të trajtojnë përmbajtjen e vendimit, duke i mohuar subjektit tonë të drejtën për shqyrtim efektiv juridik dhe duke cenuar parimet e barazisë dhe ligjshmërisë”, thuhet në reagim.
Sipas kësaj partie, vendimi i KQZ-së për të mos përfshirë Alternativën në ndarjen e fondeve bie ndesh me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe njëkohësisht rrezikon funksionimin normal të subjektit tonë politik, duke cenuar edhe parimin e pluralizmit politik.
“Kujtojmë se Alternativa, si partnere zyrtare në koalicion me subjektet politike Lëvizja VETËVENDOSJE, Lista Guxo dhe PSHDK, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 ka fituar një ulëse në Kuvendin e Republikës, rezultat i cili është certifikuar nga KQZ”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
Sipas këtij subjekti politik, arsyetimi se deputetja e zgjedhur e Alternativës është emëruar ministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye subjekti nuk konsiderohet parti parlamentare, është në kundërshtim me ligjin, pasi, sipas Alternatives, mandati rrjedh nga rezultati i certifikuar zgjedhor dhe i jep Alternativës statusin e subjektit politik me përfaqësim në Kuvend.
“Një praktikë e tillë nuk është aplikuar më parë nga KQZ-ja dhe përbën precedent të rrezikshëm, pasi ndarja e fondeve po bëhet jo sipas rezultatit të certifikuar zgjedhor, por në bazë të përfaqësimit pas votimit të Qeverisë. Mohimi i financimit publik në kundërshtim me rezultatin zgjedhor cenon barazinë ndërmjet subjekteve politike dhe rrezikon funksionimin e rregullt të partisë sonë në jetën demokratike të vendit”, thotë Alternativa.
Kjo parti politike, ka përfunduar reagimin, duke thënë se për këtë çështje do të kërkojë mbrojtje juridike përmes të gjitha mjeteve të parapara me ligj.