Për herë të parë, Kosova është prezantuar në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit që po mbahet në Lisbonë, Portugali, përmes Unioni i Turizmit i Kosovës.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, përfaqësuesit nga Kosova kanë prezantuar potencialin turistik të vendit, duke vënë në pah ofertën e larmishme që përfshin turizmin malor, kulturor, historik dhe gastronomik. Pjesëmarrja në këtë panair synon promovimin e Kosovës si një destinacion atraktiv për vizitorët e huaj, si dhe krijimin e lidhjeve të reja me tregun portugez dhe më gjerë.
Qëllimi i pjesëmarrjes është thellimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet agjencioneve turistike kosovare dhe atyre portugeze, me synim rritjen e numrit të turistëve dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e turizmit.
Shtandi i Kosovës është vizituar edhe nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Portugali, Edona Maloku, së bashku me ekipin e ambasadës.
Ajo ka vlerësuar rëndësinë e prezantimit të Kosovës në një platformë të tillë ndërkombëtare, duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe turistike mes dy vendeve. /Telegrafi/