Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosveprim përballë rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike, duke thënë se “Kosova po fle”.
Në një reagim në Facebook, Tahiri theksoi se vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian po ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur qytetarët, ndërsa Kosova, sipas tij, mbetet pas.
“Rajoni vepron, Evropa ndërhyn, Kosova pse po fle? Qeveria duhet urgjentisht të marrë masa konkrete për të përballuar krizën e rëndë ekonomike dhe rritjen e çmimeve. Gjendja është alarmante”, ka shkruar ai.
Tahiri përmendi shembuj nga rajoni dhe Evropa, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ka paralajmëruar masa të reja, Shqipëria po përgatit ndërhyrje për uljen e çmimeve, ndërsa Spanja tashmë ka miratuar një paketë prej 5 miliardë eurosh për të lehtësuar barrën për qytetarët dhe bizneset.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka ngritur shqetësime për rritjen e çmimit të naftës dhe ndikimin zinxhir në çmimet e produkteve të importuara.
Ajo ka propozuar uljen e TVSH-së në karburante nga 18% në 8% dhe përgjysmimin e akcizës deri në stabilizimin e tregut, duke kritikuar mungesën e takimeve të Qeverisë me odat ekonomike dhe përfaqësuesit e sektorit.
Nga ana tjetër, ministrja Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar për Radio Evropa e Lirë se situata mbetet e menaxhueshme dhe se Qeveria është duke punuar në një ligj për vendosjen e çmimeve tavan për produktet esenciale.
Sipas saj, ky ligj synon të mbrojë qytetarët me të ardhura të ulëta dhe përfituesit e skemave sociale, ndërsa produktet që mund të përfshihen janë mielli, qumështi, vaji, vezët dhe ushqimet për fëmijë.
Megjithatë, Kusari-Lila theksoi se mbetet e paqartë nëse do të ketë një Kuvend funksional për miratimin e këtij ligji. Në të kundërtën, institucionet do të vazhdojnë monitorimin e tregut dhe mbështetjen e prodhimit vendor për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve./Telegrafi/