Në 27-vjetorin e betejës së Koshares, në vendin ku ndodhi beteja më e përgjakshme dhe më heroike e luftës se UÇK-së, përveç shumë qytetarëve dhe familjarëve të dëshmorëve e bashkëluftëtarëve, homazhe ka bërë ushtruesja e detyrës se presidentes, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar.
Në Koshare, homazhe bën sot edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe kryetari e BDI-së, Ali Ahmeti.
U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në manifestimin qendror “Ditët e Shqipes 2026”, i cili është organizuar nën patronatin e saj, në bashkëpunim me Shoqatën e ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në Kompleksin Memorial në Koshare, tha se lufta jonë ishte e drejtë.
Haxhiu tha se 27 vite më parë njësitë e UÇK-së u nisën drejt vijës kufitare, derisa e thyen kufirin që ishte vendosur një shekull më parë padrejtësisht mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo falënderoi edhe vullnetarët e huaj që morën pjesë në këtë betejë. “Kjo dëshmon që lufta e jonë ishte e drejtë mori përkrahja nga bota demokratike”, tha ajo.
“Beteja e Koshares është një ndër betejat më të lavdishme të historisë moderne të Kosovës”, tha ajo.
Kurse zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se në Koshare nuk është zhvilluar vetëm një betejë, por u rrëzua muri ndarës. Ajo tha se Kosharja është themeli i Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se si sot, 27 vite më parë, filluan luftimet e Betejës së Koshares, me qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, që prej dekadash i ndante dhunshëm shqiptarët mes tyre.
“Më 9 prill 1999, në mëngjes herët, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mësynë mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava.
Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, tha Kurti.
Sipas tij, Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Ndër luftime të ashpra gjatë Betejës së Koshares, 114 luftëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë duke luftuar për çlirimin e Kosovës, teksa mbi 400 të tjerë u plagosën. Në anën kundërshtare, pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën. Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit. Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot!”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka nënvizuar sakrificën e heronjve të Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë betejës së Koshares, një nga përpjekjet më heroike të luftës për liri.
“Thyerja e kufirit që ndau shqiptarët ishte ëndërr e shumë brezave. Përulemi me nderim para heronjve të Brigadës 138 të UÇK-së, bijve të kombit që sakrifikuan gjithçka për liri. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke përkujtuar sot betejën e Koshares ka theksuar rëndësinë historike të betejës.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku thekson se kufiri i pushtuesit nuk mund të vendosë ndarjen e shqiptarëve, pasi shqiptarët nuk ndahen me vijë, por vetëm kur harrojnë. “Në Koshare, askush nuk harroi”, shkruan ai, duke kujtuar fillimin e betejës më 9 prill, 27 vite më parë, një nga ngjarjet më lavdishme të historisë shqiptare të shekullit XX.
“Kjo betejë ishte përgjigje ndaj thirrjeve të shumë brezave nëpër histori. Fundja, liria nuk lind kur lejohet; lind kur merret”, shton Abdixhiku, duke bërë apel për kujtesë dhe respekt për të gjithë të rënët dhe falënderim për të gjallët.
Ai përmend sakrificën e luftëtarëve Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu dhe të gjithë të rënët e tjerë, duke theksuar se liria mbahet me përgjegjësi dhe respekt ndaj veprës së tyre heroike.
“Lavdi përjetë dëshmorëve të Koshares”, përfundon Abdixhiku.