Një dygolësh i Teun Koopmeiners që nuk mjaftoi dhe një natë për t’u harruar për Juventus, që u mposht 5-2 nga Galatasaray në ndeshjen e parë të play-off-it të Ligës së Kampionëve.
Pas ndeshjes, në një prononcim për Sky Sport, Teun Koopmeiners analizoi humbjen e rëndë në Stamboll.
“Jo, mendoj se luajtëm një pjesë të parë të mirë, shënuam dy gola të mrekullueshëm, por thamë në dhomën e zhveshjes se duhej ta mbanim topin më shumë. Mënyra si shkoi pjesa e dytë nuk ishte e mirë”.
Mesfushori holandez theksoi nevojën për reflektim dhe reagim para ndeshjes së kthimit.
“Tani duhet të rrimë të qetë në dhomën e zhveshjes, të shohim videot dhe të kuptojmë se javën tjetër kemi një ndeshje tjetër. Kur marrim një karton të kuq, duhet të mendojmë se çfarë gjërash inteligjente mund të bëjmë në fushë. Nuk mund të pranojmë pesë gola”, tha Koopmeiners.
Sa i përket barrës mendore, holandezi ishte i drejtpërdrejtë: “Duhet të analizojmë gjithçka dhe të bëjmë më mirë. Duhet të shënojmë tre gola – është e thjeshtë, kështu është. Të paktën tre gola”, tha holandezi.
Koopmeiners foli edhe për situatën e tij dhe rikthimin në rolin e mesfushës.
“Ndihem mirë me këtë trajner. Bëra mirë në pjesën e parë edhe sot, por duhet të bëj më shumë në pjesën e dytë, sepse dy gola nuk kanë rëndësi kur pranon pesë”, tha mesfushori.
Pavarësisht disfatës, dygolëshi i Koopmeiners ishte pika e vetme pozitive për Juventusin. Mesfushori realizoi golat e tij të parë të sezonit, duke dhënë sinjale rimëkëmbjeje në një moment kur skuadra ka nevojë për cilësinë dhe lidershipin e tij për të ngritur nivelin në repartin e mesfushës. /Telegrafi/