Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca në një konferencë për media pas takimit me homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali tha se e ardhmja e dy vendeve, si e kaluara do të jenë të lidhura përgjithmonë.
Konjufca tha se takimi me Spiropalin nuk është takim me homologët tjerë, pasi Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën.
“Takimet me homologët nga Shqipëria nuk janë si takimet e tjera bilaterale. Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën, takimet tona janë vëllazërore…”, tha ai.
Sipas Konjufcës, kur flitet për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, nuk flitet vetëm thjeshtë për marrëdhënie ndërqeveritare, por për përgjegjësinë e dy shteteve që i përkasin të njëjtit komb.
Ai tutje tha se shteti i Kosovës është i përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me Republikën e Kosovës.
“E ardhmja jonë, si e kaluara jonë do të jenë të lidhur përgjithmonë. Sa më i fortë koordinimi ynë, aq më i sigurt rruga jonë drejt Bashkimit Evropian”, tha ai. /Telegrafi/