Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është rikthyer pas katër vitesh për të dhënë intervistë në emisionin Pressing, ku ka folur për raportet e Lëvizjes Vetëvendosje me mediat dhe bojkotin e tyre në të kaluarën.
I përballur me kritikat për etiketimin dhe mospjesëmarrjen në media, Konjufca ka pranuar se partia ka reflektuar dhe se strategjia e ndjekur atëkohë nuk ka qenë më efektivja.
Ai theksoi se në rrethana të reja, Vetëvendosje synon një prani më të madhe në mediat e Kosovës.
Gjatë bisedës me gazetarin Ilir Kërquki, u rikujtua fakti se Konjufca po rikthehej në studio pas katër vitesh mungesë. “Gati kisha pas harru qysh doket…”, u shpreh Konjufca në fillim të intervistës.
Duke iu referuar vendimit të VV-së për bojkotimin e mediave, Kërquki theksoi se tashmë zyrtarët e partisë po rikthehen në studio televizive. Në përgjigje, Konjufca deklaroi se ky është rezultat i reflektimit politik të partisë.
“Mendoj që ky ka qenë një reflektim i yni. Në politikë, ai që nuk mëson nga gabimet nuk mundet me ecë përpara. Lëvizja Vetëvendosje ka reflektu në këtë pikë dhe ka mendu që strategjia jonë në shkurt nuk ishte më efektivja. Në rrethana të reja synojmë të kemi prani sa më të madhe në mediat e Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.