Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në ditën përfundimtare të procesit nw Hagw, në shenjë solidariteti dhe respekti për sakrificën e bërë.
“Do të jem aty për atë që kemi kaluar bashkë, për sakrificën dhe për luftën e drejtë të UÇK-së. Askush nuk mund të na dalë në mes, as partitë politike e as askush tjetër. Populli e ka bërë luftën dhe personalitetet që janë sot në Hagë kanë qenë në krye të një lufte të drejtë”, tha Konjufca.
Sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë për liri dhe se askush nuk mund ta njollosë atë apo t’i ndajë qytetarët e Kosovës rreth kësaj çështjeje.
Duke folur për proceset gjyqësore në Hagë, Konjufca theksoi se ata që kanë qenë në krye të luftës çlirimtare nuk kanë kryer krime dhe se sakrifica e popullit të Kosovës është e pamohueshme.
“Ne kemi luftu për lirinë tonë, dhe ata njerëz të cilët gjatë kësaj kohe e të gjithë ato personalite që kanë qenë gjatë kohës së luftës nuk kanë bërë krime. Kanë qenë në krye të një ushtrie çlirimtare, e cila ka dhënë dëshmorët e saj, e ne jemi një popull që kemi dhënë mbi 12 mijë të vrarë, fëmijë dhe gra shtatzëna. Kjo është e vërtetë e kushdo që mundohet me goditë atë do të humb. Shpresoj dhe uroj që të gjithë ata që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm”, ka thënë Konjufca.
Ai shtoi se kjo është e vërteta historike dhe se kushdo që përpiqet ta godasë atë do të dështojë.
Konjufca theksoi se të gjithë të akuzuarit që po gjykohen në Hagë janë të pafajshëm. /Telegrafi/