Komuna e Prishtinës ka njoftuar se segmenti i rrugës Mon Balaj në lagjen Kodra e Trimave është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, por për shkak të situatës së krijuar ka ndërhyrë menjëherë me qëllim të garantimit të sigurisë së qytetarëve.
Sipas njoftimit, pavarësisht ndarjes së kompetencave institucionale, Komuna ka realizuar dy ndërhyrje gjatë mbrëmjes në këtë segment rrugor, duke vepruar me përgjegjësi dhe vendosmëri për të parandaluar rrezikun në qarkullim.
Nga Komuna e Prishtinës është bërë e ditur se siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut dhe se ndërhyrjet janë realizuar për të shmangur çdo rrezik potencial për pjesëmarrësit në trafik.
Tutje, Komuna ka theksuar se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë aktive, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve, duke vënë interesin publik dhe sigurinë mbi çdo procedurë administrative. /Telegrafi/