Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët dhe shitësit e kafshëve, se me rastin e Festës së Bajramit, shitja e deleve, shpezëve dhe kafshëve të tjera do të organizohet në një lokacion të vetëm të përcaktuar nga autoritetet komunale.
Sipas njoftimit zyrtar, aktiviteti do të lejohet vetëm më 18 dhe 19 mars 2026 në fshatin Bernicë e Poshtme, konkretisht në parkingun në rrugën “Vëllezërit Fazliu”, i njohur si ish-tregu i automjeteve.
“Në këtë lokacion lejohet vetëm shitja e kafshëve, ndërsa nuk lejohet therja apo prerja e tyre në asnjë rrethanë”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë bërë thirrje për respektimin e rregullave dhe ruajtjen e ambientit gjatë zhvillimit të aktivitetit.
“Po ashtu, kërkohet nga të gjithë shitësit që gjatë qëndrimit dhe aktivitetit të tyre të kujdesen për mirëmbajtjen e ambientit përreth, duke mos hedhur mbeturina apo mbetje të tjera”, theksohet më tej.
Për mbarëvajtjen e këtij organizimi do të kujdeset Inspektorati i Kryeqytetit, i cili do të monitorojë zbatimin e rregullave në terren.
“Ndaj të gjithë shitësve që hasen duke zhvilluar aktivitet jashtë këtij lokacioni do të ndërmerren masa ligjore sipas legjislacionit në fuqi”, paralajmëron komuna. /Telegrafi/