Në prag të festave të fundvitit, Komuna e Gjakovës organizoi një aktivitet të veçantë për fëmijët nën përkujdesjen e familjeve strehuese, ku 8 fëmijë morën dhurata simbolike, duke përjetuar gëzim dhe vëmendje nga komuniteti.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, së bashku me zyrtarë të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, uroi fëmijët dhe familjet e tyre për festat e fundvitit. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për këto familje:
“Familjet strehuese luajnë një rol të veçantë dhe ofrojnë kontribut të pazëvendësueshëm në jetën dhe mirëqenien e fëmijëve. Është detyrë jonë të jemi gjithmonë pranë tyre, veçanërisht në ditët festive”, u shpreh Gjini.
Ky aktivitet synon të forcojë solidaritetin dhe të përkujdeset për fëmijët që jetojnë nën kujdesin e komunitetit, duke krijuar një atmosferë festive dhe të ngrohtë për ta. /Telegrafi/