Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se sot është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për monitorimin dhe menaxhimin e pyllëzimeve dhe infrastrukturës përcjellëse në Zonën Kadastrale të Restelicës.
Memorandumi është nënshkruar në bashkëpunim me përfaqësues të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”. Ky bashkëpunim synon menaxhim më të qëndrueshëm dhe mbrojtje më efikase të zonave të pyllëzuara, si dhe të infrastrukturës përkatëse në këtë pjesë të komunës.
Gjatë takimit, kryetari Xheladini u zotua se Komuna e Dragashit do t’i përmbushë me përgjegjësi të plotë të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje, përcjell Telegrafi. Po ashtu, palët diskutuan për situatën aktuale në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe për mundësitë e shfrytëzimit të zonave të caktuara si potencial për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe projektit të pyllëzimit të zonës së Restelicës, e cila ishte e rrezikuar nga ortekët. Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), ndërsa monitorimi dhe menaxhimi i tij do të bëhet në bazë të memorandumit të nënshkruar.
Kryetari i Dragashit ka falënderuar të gjitha institucionet e përfshira për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunës. /Telegrafi/