Ambasadori i Kosovës në Bashkimin Evropian, Agron Bajrami, ka përshëndetur vendimin e Komitetit të Rajoneve të BE-së për të harmonizuar terminologjinë e përdorur për Kosovën me atë të Parlamentit Evropian, duke hequr asterisken dhe shënimin në fund të faqes.
Në një postim në rrjetin social “X”, Bajrami e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për përforcimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.
Ai gjithashtu ka shprehur falënderime të veçanta për raportuesen e Komitetit për Zgjerimin, këshilltaren Gillian Coughlan, dhe për të gjithë anëtarët e Komitetit për këtë vendim me rëndësi.
“Ky vendim forcon perspektivën evropiane të Kosovës dhe tregon mbështetjen e BE-së për vendin tonë,” ka shkruar ambasadori Bajrami.
Çka është fusnota?
Më 24 shkurt të vitit 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare.
“Ky përcaktim është pa paragjykime ndaj statusit dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në marrëveshje.
Për Barguesin nga CIBOD, marrëveshja për fusnotën ishte një mënyrë që të lihej anash diskutimi lidhur me statusin e Kosovës si shtet i pavarur apo jo, për të diskutuar çështje të tjera.
“Meqenëse statusi i Kosovës është çështja më e ndjeshme në këtë konflikt ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës… nëse lihet anash me fusnotën, atëherë OKB-ja mund të punojë në gjërat e tjera, për shtetndërtimin e Kosovës apo procesin e ndërtimit të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai për REL-in.
Kjo praktikë, sipas tij, u mor edhe nga institucionet e tjera, pasi që u mundësonte atyre që të punonin në fusha të ndryshme me Kosovën, pa marrë anë në mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.
Emini vë në dukje se arritja e marrëveshjes për fusnotën, përveçse i mundësoi Kosovës bashkëpunim me vendet që nuk ia njohin pavarësinë, i mundësoi edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) me Bashkimin Evropian.
Kosova nënshkroi MSA-në me BE-në, që cilësohet si hapi i parë drejt anëtarësimit në BE, në vitin 2015./Telegrafi.