Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës, e cila konsiderohet një nga njësitë kyçe të kësaj garde.
Gjatë kësaj vizite, Gjeneral Jashari u njoftua nga afër me aftësitë dhe kapacitetet operacionale të bazës, përfshirë helikopterët e modelit Black Hawk që janë në dispozicion të Gardës Kombëtare të Ajovës. Stafi i njësisë prezantoi procedurat e trajnimit të personelit të aviacionit, proceset e mirëmbajtjes së helikopterëve, infrastrukturën mbështetëse si dhe inspektimet e nevojshme për funksionimin e sigurt të tyre.
Në takim morën pjesë edhe drejtues të lartë të Gardës Kombëtare të Ajovës, me ç’rast Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Osborn u pajtuan për krijimin e grupeve të përbashkëta punuese, të cilat do të fokusohen në planifikimin e ngritjes së kapaciteteve të aviacionit në kuadër të FSK-së. Ky bashkëpunim do të përfshijë trajnimin, operimin, mirëmbajtjen si dhe ndërtimin e infrastrukturës adekuate.
Në përfundim të vizitës, GLT Jashari vlerësoi lart profesionalizmin dhe përvojën e kësaj njësie, duke falënderuar stafin e bazës së aviacionit për gatishmërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj FSK-së. Ai theksoi se helikopterët Black Hawk përfaqësojnë një kapacitet shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për zhvillimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në të ardhmen./Telegrafi/