Koalicioni i organizatave joqeveritare (OJQ) u ka bërë thirrje qeverisë qendrore dhe udhëheqjes komunale që të sigurojnë se çdo rishikim i ardhshëm i buxhetit për vitin 2026 dhe Korniza e ardhshme Afatmesme e Shpenzimeve i përmbushin nevojat e ndryshme të të gjithë qytetarëve.
Sipas njw njoftimi pwr media thuhet se hulumtimet e fundit nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Caritasi Zviceran në Kosovë konfirmojnë se barrierat strukturore aktualisht i lënë 74% të grave jashtë tregut të punës.
Tutje nw njoftim thuhet se “ndërkohë që pjesëmarrja e burrave në fuqinë punëtore është rreth 60%, pjesëmarrja e grave qëndron vetëm në 26%. Ky përjashtim krijon një mungesë të vetë-imponuar të fuqisë punëtore që pengon prosperitetin ekonomik të Kosovës”.
Koalicioni i organizatave joqeveritare u bën thirrje institucioneve udhëheqëse të kalojnë nga fjalët në vepra, përtej “zotimeve në letër”, dhe të investojnë në gjashtë fusha kritike:
Një ligj të ri për punën.
Ligji aktual, i cili është në rishikim prej më shumë se tetë vitesh, kontribuon në diskriminimin ndaj grave në punësim. Bëjmë thirrje për një ligj të ri për punën, të përafruar me Direktivën e BE-së për balancën punë-jetë, i cili siguron që shteti, dhe jo punëdhënësi, të mbulojë pagesën e pushimit të lehonisë, atësisë dhe lejes prindërore, si dhe t’u ofrojë burrave më shumë të drejta për pushim.
Investime në shërbimet e kujdesit.
Mungesa e shërbimeve të përballueshme dhe të qasshme për kujdesin ndaj fëmijëve mbetet një nga barrierat kryesore për punësimin e grave. Në komuna si Drenasi, Malisheva dhe Kamenica, këto shërbime janë tejet të kufizuara. Investimi në një rrjet kombëtar të kujdesit dhe lehtësimit të pagesave të kopshteve për edukim të fëmijëve mund të krijojë 10,000 vende formale pune, duke u mundësuar mijëra grave të hyjnë në tregun e punës.
Sigurimi i transportit të qasshëm në vendet rurale.
Transporti publik jo i besueshëm izolon gratë në zonat rurale, të cilat kanë më pak gjasa të zotërojnë vetura dhe mbështeten më shumë në transportin publik. U bëjmë thirrje komunave të rishikojnë transportin publik në zonat rurale dhe të ofrojnë subvencione për linjat e transportit për punëtorët, në mënyrë që gratë (dhe burrat) në zonat rurale të kenë qasje të sigurt dhe të përballueshme në tregjet urbane të punës.
Institucionalizimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.
Megjithëse qeveria është zotuar për buxhetim të përgjegjshëm gjinor (BPGj), zbatimi i tij është vonuar. Shumat aktuale të alokuara për fuqizimin ekonomik të grave rrallë tejkalojnë 10,000€ në vit. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të institucionalizojë BPGj-në duke ndryshuar Ligjin për Financa Publike dhe Ligjin për Prokurime Publike, ndër të tjera, si dhe të përgadisë dhe të publikojë rregullisht shtojcat e BPGj-së që kërkohen nga qarkoret buxhetore. Gjithashtu, Zyrtarëve për Barazi Gjinore (ZBGj) duhet t’u jepen burime të mjaftueshme për mandatet e tyre si dhe role programatike në planifikimin e buxheteve për sektorë si bujqësia, transporti dhe zhvillimi ekonomik.
Sigurimi i llogaridhënies në agjendën e reformave.
Buxhetit kombëtar rekord prej 4 miliardë € dhe Plani i Rritjes i BE-së prej 880 milionë € duhet të përdoren që vërtetë të nxisin barazinë. Qeveria duhet të miratojë tregues të qartë gjinorë lidhur me ndikimin e saj si dhe të angazhohet në konsultime publike transparente me organizatat për të drejtat e grave, në mënyrë që të mbështesë sa më mirë zbatimin e tyre.
Ne mbesim të gatshëm të bashkëpunojmë me autoritetet qendrore dhe komunale për të përmirësuar ligjet dhe politikat relevante, si dhe për të mbështetur forcimin e kapaciteteve për buxhetim të përgjegjshëm gjinor në institucionet që nxisin zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës.
Le të punojmë së bashku, politikëbërës dhe shoqëri civile, për të sjellë zgjidhje dhe mundësi zhvillimi ekonomik për gratë dhe burrat e Kosovës.