Ngjyra e kuqe që u krijua rastësisht u kthye në simbol luksi dhe fuqie në modë
Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, organizoi dje në Washington një samit global kushtuar inteligjencës artificiale dhe arsimit. Ajo u shfaq në Shtëpinë e Bardhë pranë robotit humanoid Figure 3, e stiluar në mënyrë të përkryer, duke ecur me këpucë të markës së saj të preferuar.
Melania Trump kishte veshur një kostum nga Dolce & Gabbana, dhe aq shpesh zgjedh krijimet e kësaj shtëpie prestigjioze italiane, sa themeluesit e saj, Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana, me siguri ndihen krenarë që Zonja e Parë e Amerikës mbështet punën e tyre.
Tek ajo pamë edhe këpucë elegante Christian Louboutin me shollën karakteristike të kuqe. Edhe ky është një nga brendet e saj të preferuara, ndërsa shpesh mban edhe këpucë nga Manolo Blahnik, Jimmy Choo dhe Gianvito Rossi me taka. Nuk shmang as këpucët e sheshta, por shpesh zgjedh edhe atlete si Adidas Stan Smith, Converse dhe Nike, si dhe balerina, transmeton Telegrafi.
Sekreti i këpucëve të Melania Trump dhe ngjyra e kuqe e famshme e prestigjit
Këpucët Christian Louboutin i adhurojnë personazhe të njohur, anëtarë të familjeve mbretërore, por i blejnë edhe shumë të tjerë, pasi çdo vit shiten rreth 700.000 modele të kësaj marke. Çmimi prej 800 deri në disa mijëra dollarë nuk përbën pengesë.
Çdo palë këpucësh prodhohet me dorë në Itali, ndërsa çdo dizajn fillon nga një skicë e krijuar nga dizajneri legjendar Christian Louboutin.
Këpucët me taka Christian Louboutin me shollë të kuqe u krijuan në vitet ’90 dhe që atëherë nuk kanë dalë nga moda. Dizajneri i famshëm, i lindur në Paris në vitin 1963, u interesua për modën që në moshë të re. Siç ka treguar vetë, ndikim të madh pati rritja me tri motra, falë të cilave kuptoi çfarë pëlqejnë gratë në modë.
Ai filloi të dizajnonte këpucë që në adoleshencë. Më vonë punoi për shtëpinë e modës Chanel, dhe në fillim të viteve ’90 krijoi markën e tij. Nga një dyqan në Paris, u krijua një perandori këpucësh.
Kur përfundoi koleksionin e dytë dhe i ekspozoi modelet në dyqan, kuptoi se diçka mungonte.
I frymëzuar papritur nga një shishe me llak të kuq për thonj, me të cilin asistentja e tij po lyente thonjtë, ai e mori atë dhe lyeu pjesën e poshtme të këpucës me ngjyrë të kuqe. U mahnit nga ndryshimi. Kështu lindi sholla e famshme e kuqe, shenja e tij dalluese dhe simbol i prestigjit në modë. Dizajneri kult fitoi statusin e gjeniut, por edhe të miliarderit.
Moda nuk është më elitare si dikur
“Moda nuk është më elitare si dikur”, thotë dizajneri i famshëm, duke theksuar se ajo është bërë një mjet i fuqishëm komunikimi dhe vetë-shprehjeje që lidh njerëz nga prejardhje të ndryshme. Sipas tij, moda sot është më demokratike dhe vendos buzëqeshje në fytyrat e njerëzve. Ndikimin e tij e përdor edhe për çështje shoqërore, duke mbështetur komunitete dhe duke dhuruar për bamirësi. /Telegrafi/