Hipokalcemia është gjendje që ndodh kur niveli i kalciumit në gjak bie shumë. Në fillim mund të mos japë shenja, por në rastet e rënda mund të shkaktojë spazma muskulore, kriza, çrregullime të ritmit të zemrës dhe komplikacione serioze
Hipokalcemia është një gjendje që ndodh kur niveli i kalciumit në gjak është shumë i ulët. Është e rëndësishme të theksohet se këtu bëhet fjalë për kalciumin në gjak, dhe jo për sasinë e kalciumit në kocka. Kjo gjendje mund të jetë pasojë e çrregullimeve të ndryshme shëndetësore dhe mund të paraqitet në formë të lehtë ose të rëndë. Në shumicën e rasteve hipokalcemia është e trajtueshme dhe mund të jetë e përkohshme ose kronike, varësisht nga shkaku.
Pse është i rëndësishëm kalciumi për organizmin?
Kalciumi është një nga mineralet më të rëndësishme në trupin e njeriut. Pjesa më e madhe e tij gjendet në kocka, por edhe kalciumi në gjak është thelbësor për shumë funksione jetike. Ai mundëson funksionimin normal të sistemit nervor, tkurrjen e muskujve, mpiksjen e gjakut dhe funksionimin e rregullt të zemrës.
Kur niveli i kalciumit në gjak bie, organizmi e ka më të vështirë të kryejë këto funksione themelore. Në përpjekje për ta mbajtur nivelin e kalciumit në gjak të qëndrueshëm, trupi mund të fillojë ta marrë atë nga kockat, gjë që me kalimin e kohës mund të çojë në dobësimin e tyre.
Rregullimin e nivelit të kalciumit në organizëm e kontrollojnë hormonet – hormoni paratiroid dhe kalcitonina, ndërsa vitamina D ka rol kyç në përthithjen e kalciumit nga ushqimi, transmeton Telegrafi.
Kush mund të zhvillojë hipokalceminë?
Hipokalcemia mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, përfshirë edhe të porsalindurit. Shkaku shpesh përcakton edhe periudhën e jetës kur shfaqet kjo gjendje. Te foshnjat, për shembull, hipokalcemia mund të jetë pasojë e disa çrregullimeve gjenetike.
Në praktikë, kjo gjendje shpesh shfaqet si pasojë ose komplikim i problemeve të tjera shëndetësore. Për shembull, është relativisht e shpeshtë pas operacionit të gjëndrës tiroide, sepse mund të dëmtohet funksioni i gjëndrave paratiroide.
Cilat janë simptomat e hipokalcemisë?
Rënia e lehtë e kalciumit shpesh nuk shkakton simptoma. Megjithatë, me uljen e mëtejshme të nivelit të kalciumit, mund të shfaqen shenja të ndryshme.
Te format më të lehta mund të paraqiten:
▪ ngërçe në muskuj, veçanërisht në shpinë dhe në këmbë
▪ lëkurë e thatë dhe me luspa
▪ thonj të brishtë
▪ ndryshime në strukturën e flokëve.
Nëse gjendja zgjat dhe nuk trajtohet, mund të shfaqen edhe simptoma neurologjike dhe psikologjike, si:
▪ konfuzion
▪ probleme me kujtesën
▪ nervozizëm dhe irritim
▪ gjendje depresive
▪ halucinacione.
Kur hipokalcemia bëhet e rrezikshme?
Në rastet e hipokalcemisë së rëndë, pra kur niveli i kalciumit në gjak është shumë i ulët, mund të shfaqen simptoma serioze dhe potencialisht kërcënuese për jetën.
Këto përfshijnë mpirje të buzëve, gjuhës, gishtërinjve dhe shputave, dhimbje dhe spazma të forta muskulore, ngërçe të muskujve të fytit që mund të vështirësojnë frymëmarrjen, kriza epileptike, çrregullime të ritmit të zemrës dhe dobësim të funksionit të saj.
Në këto situata nevojitet ndihmë e menjëhershme mjekësore, sepse komplikacionet mund të jenë të rrezikshme për jetën.
Shkaqet më të shpeshta të hipokalcemisë
Ekzistojnë shumë faktorë që mund të çojnë në rënien e kalciumit në gjak, por tre prej tyre janë më të shpeshtët.
1. Hipoparatiroidizmi
Kjo gjendje ndodh kur gjëndrat paratiroide nuk prodhojnë mjaftueshëm hormon paratiroid (PTH), i cili rregullon nivelin e kalciumit në gjak. Mund të jetë pasojë e çrregullimeve gjenetike ose e ndërhyrjeve kirurgjikale në gjëndrën tiroide ose paratiroide.
2. Mungesa e vitaminës D
Vitamina D i mundëson organizmit të përthithë kalciumin nga ushqimi. Mungesa e saj mund të çojë në hipokalcemí. Shkaku mund të jetë ekspozimi i pamjaftueshëm në diell, ushqyerja e dobët ose disa çrregullime gjenetike.
3. Dëmtimi kronik i veshkave
Në rastet e pamjaftueshmërisë së veshkave ndodh çrregullim në metabolizmin e fosforit dhe vitaminës D, gjë që mund të ulë nivelin e kalciumit në gjak.
Hipokalceminë mund ta shkaktojnë edhe faktorë të tjerë, si disa barna, niveli i ulët i magnezit, pankreatiti akut ose disa sëmundje të rralla gjenetike.
Si vendoset diagnoza?
Hipokalcemia diagnostikohet përmes analizës së gjakut, kur përqendrimi total i kalciumit është më i ulët se rreth 8,8 mg/dL. Përveç kësaj, mjekët shpesh bëjnë analiza shtesë për të zbuluar shkakun e çrregullimit, duke përfshirë matjen e magnezit, fosforit, hormonit paratiroid dhe vitaminës D.
Në disa raste kryhet edhe elektrokardiogramë (EKG), sepse niveli i ulët i kalciumit mund të shkaktojë çrregullime të ritmit të zemrës.
Trajtimi i hipokalcemisë
Forma më e zakonshme e trajtimit janë suplementet e kalciumit, zakonisht në formë tabletash. Megjithatë, është po aq e rëndësishme të trajtohet edhe shkaku themelor që ka çuar në rënien e kalciumit.
Terapia mund të përfshijë preparate orale të kalciumit, suplemente të vitaminës D, hormon paratiroid sintetik në rastin e hipoparatiroidizmit, si dhe dhënie intravenoze të kalciumit në kushte spitalore në rastet e rënda.
Cila është prognoza?
Në shumicën e rasteve hipokalcemia është një gjendje e trajtueshme dhe e kontrollueshme, veçanërisht kur zbulohet dhe trajtohet në kohë. Simptomat zakonisht zhduken pasi niveli i kalciumit në gjak normalizohet.
Megjithatë, hipokalcemia e rëndë dhe e patrajtuar mund të çojë në komplikacione serioze, si kriza epileptike, çrregullime të zemrës ose dështim të saj, prandaj konsiderohet një gjendje potencialisht kërcënuese për jetën.
Për këtë arsye është e rëndësishme të kërkohet ndihmë mjekësore nëse shfaqen simptoma që mund të tregojnë një rënie të theksuar të kalciumit në organizëm. /Telegrafi