Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka realizuar veprimet lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Rahovecit.
Sipas njoftimit thuhet se në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 17 kryesues.
“Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 9 (nëntë) kryesues janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve. /Telegrafi/