Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Fushë Kosovë, Ylber Kelmendi, ka reaguar për gjendjen e rënduar të Shtëpisë së Kulturës në këtë komunë, duke theksuar se objekti është lënë në harresë dhe pa mirëmbajtje për vite me radhë.
Në një postim në Facebook, Kelmendi ka bërë të ditur se shfaqja e fundit në këtë objekt është mbajtur para rreth 20 vitesh dhe se që nga ajo kohë kultura në Fushë Kosovë nuk ka pasur vëmendjen e duhur.
Sipas tij, objekti që dikur kishte jetë kulturore, sot ndodhet në gjendje të mjerueshme, me mungesë të plotë të mirëmbajtjes.
Ai ka njoftuar se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndërmarrë hapin e parë konkret, duke filluar me pastrimin e brendshëm të objektit, një proces që, sipas tij, nuk ka ndodhur prej dekadash. “Ky është vetëm fillimi”, ka theksuar Kelmendi.
Drejtori ka paralajmëruar se Shtëpia e Kulturës do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe se synimi është që ajo t’u rikthehet qytetarëve si hapësirë funksionale për artin dhe kulturën. Në fund, ai ka nënvizuar se Fushë Kosova meriton më shumë dhe se kultura duhet të trajtohet me dinjitet. /Telegrafi/