Autoritetet në rajonin e Katalonjës në Spanjë kanë njoftuar pezullimin e mësimit në shkolla dhe të aktiviteteve sportive, pasi stuhia Nils, sistemi i tetë radhazi i stuhive që ka goditur vendin javët e fundit, solli parashikime për erëra shumë të fuqishme në të gjithë rajonin.
Qeveria rajonale tha se masat, të cilat hyjnë në fuqi të enjten, u morën pas paralajmërimeve nga Shërbimi Meteorologjik i Katalonjës (Meteocat), i cili parashikoi erëra me intensitet të “kategorisë maksimale” në të gjitha qarqet.
Zyrtarët paralajmëruan se shpërthimet e erës mund të paraqesin “rreziqe ekstreme” dhe u bënë thirrje banorëve të punojnë nga shtëpia ku të jetë e mundur dhe të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura.
Agjencia meteorologjike e Spanjës tha se stuhia Nils pritet të sjellë erëra shumë të fuqishme në pjesë të mëdha të vendit, det të trazuar dhe reshje shiu, si dhe borë në lartësi më të mëdha gjatë të mërkurës dhe të enjtes.
Sipas shërbimit Meteocat, në Barcelonë tashmë janë regjistruar shpërthime të erës deri në 140 kilometra në orë.
Stuhia e fundit vjen pas javësh me mot ekstrem në Spanjë dhe Portugali.
Javën e kaluar, Spanja jugore u godit nga një sistem i fuqishëm stuhish që shkaktoi përmbytje të përhapura në Andaluzí, duke detyruar evakuimin e mijëra personave dhe duke rezultuar në dy viktima. Lumenjtë dolën nga shtrati, lidhjet e transportit u ndërprenë dhe lagje të tëra mbetën përkohësisht të izoluara.
Të martën, qeveria spanjolle shpalli zonat e prekura si zona emergjente pas përmbytjeve të fundit.
Ministrja e Mjedisit, Sara Aagesen, bëri thirrje për kujdes përpara mbërritjes së stuhisë Nils, duke i përshkruar sistemet e fundit të motit si “gjithnjë e më ekstreme dhe të dhunshme” dhe duke kërkuar një “përgjigje të bashkuar dhe kolektive”.
“Duhet të kemi parasysh se kjo situatë nuk ka përfunduar dhe reshjet vazhdojnë. Po shohim fenomene gjithnjë e më ekstreme, dhe e dimë se kjo është pasojë e emergjencës klimatike”, tha Aagesen. /AA/