Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka prezantuar strategjinë e parë industriale të mbrojtjes, duke parashikuar mbi 500 miliardë dollarë investime të planifikuara në fushën e mbrojtjes gjatë dekadës së ardhshme.
Nisma synon forcimin e sigurisë kombëtare, zgjerimin e industrisë vendase dhe krijimin e vendeve të punës me paga të larta në mbarë vendin.
“Në total, gjatë dekadës së ardhshme, Kanadaja do të investojë 180 miliardë dollarë drejtpërdrejtë në prokurimin e mbrojtjes, 290 miliardë dollarë në infrastrukturë të lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë, si dhe do të gjenerojë mbi 125 miliardë dollarë përfitime shtesë ekonomike”, tha Carney në një konferencë për media në Montreal, duke dhënë detaje mbi përmasat e iniciativës.
Ai theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të sektorit ekzistues të mbrojtjes në Kanada.
“Industria kanadeze e mbrojtjes tashmë punëson më shumë se 80,000 kanadezë drejtpërdrejt dhe shumë të tjerë në mënyrë indirekte”, tha Carney.
“Ne duhet të maksimizojmë plotësisht efektin e këtyre investimeve për të forcuar sigurinë tonë, për të përmirësuar punësimin dhe për të mbrojtur sovranitetin tonë”, shtoi ai.
Duke theksuar se kjo “nuk nënkupton vetëm rritjen e madhësisë së ushtrisë”, Carney tha se bëhet fjalë edhe për “forcën e industrive tona, qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe aftësinë tonë për të vepruar në mënyrë të pavarur kur ka më shumë rëndësi”.
Carney shpjegoi se strategjia përfaqëson “një plan ambicioz për t’u siguruar Forcave të Armatosura atë që u nevojitet, në kohën e duhur”, si dhe për të zgjeruar kompanitë kanadeze të mbrojtjes dhe për të krijuar mbi 125 mijë vende pune me paga të larta në të gjithë Kanadanë.
Ai tha se korniza e strategjisë është e thjeshtë, “ndërto, bashkëpuno, bli”, duke i dhënë përparësi kompanive kanadeze dhe bashkëpunimit me aleatët.
“Pika qendrore e qasjes sonë të re është Agjencia e Investimeve të Mbrojtjes (DIA)”, ka thënë Carney. /AA/