Juventus po kalon një revolucion të plotë nën drejtimin e Luciano Spalletti, pas një serie emërimesh të pasuksesshme në stol si Thiago Motta dhe Igor Tudor.
Për momentin, ai po përpiqet të implementojë stilin e tij me lojtarët që ka në dispozicion dhe vendimi i parë ka qenë ta bëjë Kenan Yildiz pikën kyçe të sistemit. Manuel Locatelli vendos ritmin në mesfushë dhe Gleison Bremer është “zemra” e mbrojtjes, por realiteti është se atij i mungon një partner i besueshëm.
Në korrik dhe gusht, Juventusi do të fokusohet në gjetjen e një qendërmbrojtësi tjetër.
Duke qenë se investimet e mëdha pritet të ruhen për repartin ofensiv, klubi synon të shfrytëzojë një mundësi në tregun e lojtarëve të lirë për mbrojtjen. Sipas ‘TuttoJuve’, një kampion i Evropës si Antonio Rudiger mund të jetë i disponueshëm.
Kontrata e gjermanit me Real Madrid skadon në qershor dhe klubi madrilen ende po debaton nëse do t’i ofrojë rinovim apo ta lërë të largohet falas, pasi problemet me gjurin nuk janë zhdukur plotësisht.
Këtë sezon, Alvaro Arbeloa, dhe më herët Xabi Alonso, janë detyruar të mbështeten kryesisht te Dean Huijsen dhe Raul Asensio për minuta të qëndrueshme, pasi David Alaba, Rudiger dhe Eder Militao kanë humbur shumë ndeshje.
32 vjeçari sezonin e kaluar zhvilloi 50 ndeshje për Real Madridin në të gjitha garat, duke kaluar 4000 minuta në fushë, ku shënoi tre gola dhe nuk regjistroi asnjë asistim./Telegrafi