Aktorja e njohur shqiptare Adriana Matoshi ka reaguar publikisht pasi është rizgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, duke shënuar kështu legjislaturën e tretë në karrierën e saj politike.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Matoshi ka falënderuar votuesit që i besuan edhe një mandat tjetër, duke bërë të ditur se në këto zgjedhje ka marrë 38.167 vota, nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ajo e ka cilësuar këtë rezultat si një përgjegjësi të madhe dhe një obligim moral për të punuar në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.
Në reagimin e saj, Adriana Matoshi shkroi:
“Sot ndjej një përgjegjësi të madhe dhe një mirënjohje të thellë.
Falë besimit tuaj, falë 38.167 votave të qytetarëve, jam nderuar me mandatin për deputete nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ky besim nuk merret lehtë dhe nuk mbahet lehtë. Është një amanet që më obligon të punoj çdo ditë me ndershmëri, përkushtim dhe guxim, në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë.
Ju që na votuat, nuk keni gabuar. Ju që besuat në ndryshim, në drejtësi dhe në një shtet më të barabartë, keni zgjedhur rrugën e duhur. Ky mandat nuk është privilegj personal, por përgjegjësi publike.
Do të jem zëri juaj në Kuvend, do të qëndroj besnike ndaj parimeve tona dhe do të punoj pa u lodhur që besimi juaj të shndërrohet në vepra konkrete.
Faleminderit nga zemra.
Me ju dhe për ju, përpara!
Ju dua pa fund”.
Reagimi i Matoshit është pritur me komente të shumta mbështetëse nga qytetarët dhe ndjekësit e saj, të cilët e kanë uruar për vazhdimësinë e angazhimit të saj politik. /Telegrafi/