Njerëzit që e vërshëllyen zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance në Lojërat Olimpike Dimërore po shfaqnin “krenari evropiane” pas një sërë komentesh kritike në lidhje me Evropën nga zyrtarët amerikanë, tha të hënën diplomatja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, shkruan Politico.
Vance dhe gruaja e tij, Usha Vance, u pritën me një mori fishkëllimash në stadiumin San Siro në Milano javën e kaluar, kur u shfaqën shkurtimisht në një ekran gjigant duke valëvitur flamuj amerikanë gjatë ceremonisë së hapjes.
E pyetur për fishkëllimat në emisionin Europe Today të Euronews, shefja e politikës së jashtme të bllokut Kaja Kallas tha: “Epo, mendoj se kemi dëgjuar shumë fjalë jo aq të mira nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me Evropën”.
“Sigurisht, publiku ynë gjithashtu ka një krenari, një krenari evropiane. Kështu duket” shtoi ajo, transmeton Telegrafi.
Vërejtjet kapin gjendjen e tensionuar të marrëdhënieve BE-SHBA përpara Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC) të kësaj jave, në të cilën udhëheqësit evropianë do të takohen me anëtarë të administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në MSC-në e vitit të kaluar, Vance tronditi shumë evropianë me komente kritike në lidhje me BE-në, të cilën ai e akuzoi për shtypjen e lirisë së fjalës dhe rrezikun e zhdukjes së qytetërimit për shkak të migrimit.
Vance dhe zyrtarë të tjerë të administratës Trump kanë vazhduar me komente të tjera përçmuese, me zëvendëspresidentin që kohët e fundit i akuzoi evropianët për standarde të dyfishta në mënyrën se si ata merren me përfaqësuesit e SHBA-së.
“Evropianët, ata janë shumë miqësorë privatisht dhe janë të gatshëm të bëjnë shumë akomodime dhe pastaj publikisht na sulmojnë dhe thonë: ‘Ne nuk do të punojmë me amerikanët. Ne nuk do të bëjmë asgjë me amerikanët. Më vjen keq. Është gjithçka e rreme'”, i tha Vance prezantueses së talk show Megyn Kelly në një intervistë të botuar të shtunën.
Këto komente erdhën menjëherë pas kërcënimit të Trump për të pushtuar Grenlandën, një territor danez vetëqeverisës në Arktik.
Pavarësisht se u ftua, Vance nuk planifikon të bashkohet me edicionin e këtij viti të MSC-së, sipas raportimeve nga Bloomberg dhe Fox News.
Në vend të kësaj, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio do të udhëheqë delegacionin e SHBA-së në konferencë, u tha gazetarëve të hënën në Berlin, kryetari i MSC-së, Wolfgang Ischinger. /Telegrafi/