Me pankartat “E vërteta e luftës nuk tjetërsohet”, “Respekt për viktimat, jo manipulim”, ka nisur protesta e OVL-UÇK-së sot para objektit të Kuvendit të Kosovës kundër ekspozitës që ishte shfaqur në sheshet e Prishtinës, nga ish këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, në të cilën ka pasur gabime dhe të pavërteta ndaj krimeve të serbëve.
Xhavit Jashari nga OVL–UÇK-së ka deklaruar se kryeministri i vendit, Albin Kurti, megjithëse mban flamurin kombëtar, brenda kabinetit të tij ka të punësuar një person që sipas tij ka tentuar të degradonte luftën e UÇK-së, Shkëlzen Gashi.
“Kryeministri mban simbolin e flamurit kombëtar, por për këshilltar ka një person që ka tentuar të degradonte luftën e UÇK-së, dhe ky është Shkëlzen Gashi. Degradimi i kësaj qeverie shprehet edhe përmes faktit që brenda saj ka ministra anti-UÇK”, ka theksuar Jashari.
Ai gjithashtu ka kritikuar Kuvendin e Kosovës, duke thënë se institucioni më i lartë i vendit, në vend që të nxjerrë ligje për të përkujtuar dhe mbrojtur luftën e UÇK-së, po e fyen atë dhe po organizon ekspozita që shtrembërojnë historinë reale të luftës. /Telegrafi/