Vedat Muriqi ka falënderuar tifozët për mbështetjen e madhe, pasi nuk arriti t’i mbante lotët pas golit ndaj Real Madridit.
Ylli i Kosovës shënoi në kohën shtesë për t’ia siguruar Mallorcas pikët e plota kundër gjigantit madrilen, gol që ishte i 19-ti në La Liga.
Pas ndeshjes, Muriqi deklaroi se kaloi një periudhë të rëndë këto dy javë, sidomos kur dështoi ta realizojë ëndrrën për t’u kualifikuar në Kupën e Botës me Kosovën.
“Edhe pse dukem shumë i rëndë dhe i shëmtuar nga jashtë, jam njeri”.
“Këto dy javë kanë qenë shumë të rënda për mua. E humba penalltinë ndaj Elches në minutën e 92-të, pastaj shkova te kombëtarja ku e humba finalen për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, që ishte ëndrra e jetës sime”.
“Mendova se ky sezon ka nisur mirë, por përfundoi keq. Por, të shënoja këtë gol të bukur, me rezultatin 2-1, është lajm fantastik. Edhe pse kam shënuar 19, ky është i veçantë sepse morëm një fitore të madhe”.
“Faleminderit tifozëve, kishim mbështetje të madhe. Jam shumë mirënjohës për gjithçka që më keni dhënë dhe shpresoj të qëndrojmë në elitë”.
Ai ndër të tjera edhe përgëzoi lojtarët për paraqitjen e bërë, ku me plot meritë mposhtën “ekipin më të mirë në botë, Real Madridin”.
“Të them të drejtën kur bën kalkulimet para se sezoni të nisë, nuk e mendon se mund ta mposhtësh Real Madridin, por të marrësh tre pikë ndaj klubit më të mirë në botë nënkupton se ke luajtur një ndeshje të mirë. Jam shumë i lumtur, krenar për tifozët dhe bashkëlojtarët. Shpresoj të marrim gjashtë pikë në dy ndeshjet e radhës kundër Rayo Vallecanos dhe Valencias”.
Mallorca tani i ikën zonës së rrezikshme për t’u ngjitur në pozitën e 17-të./Telegrafi